Veseli: Loja e Vuçiçit në dëm të serbëve të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, është treguar i ashpër ndaj therrjes së një të riu serb në Mitrovicë dhe reagimeve të Presidentit serb Vuçiç në lidhje me këtë rast, të cilin Veseli e ka cilësuar si krim ordiner.

“Loja që Aleksandër Vuçiç po luan, për interesa të tij të ngushta dhe për konsum të brendshëm politik, është në dëm të bashkëqytetarëve tanë serb të Kosovës. Deklarata e tij e sotshme ka për synim cënimin e sigurisë së Kosovës dhe dëmtimin e stabilitetit rajonal. Prandaj, i bëj thirrje Beogradit, që të heqi dorë nga provokimet dhe të lërë bashkëqytetarët tanë serb rehat të lirë. Nga ana tjetër, unë dënoj ashpër krimin ordiner të kryer sot dhe bëj thirrje ndaj organeve të zbatimit të ligjit, që sa më shpejtë të zbardhin ngjarjen dhe të vendosin përpara drejtësisë përgjegjësit”, ka shkruar Veseli, në një postim në profilin e tij në rrjete sociale.

Kreu i PDK-së, Veseli, është shprehur se serbët e Kosovës ballafaqohen me probleme vetëm aty ku serbia ka interes të shkaktojë konflikt. “Shqiptarët dhe serbët nuk kanë probleme në Shtërpcë, Graçanicë, Novobërdë apo shumë vende të tjera ku jeton shumica dërrmuese e komunitetit serb në Kosovë. Problemet ekzistojnë vetëm aty ku Serbia ka interes që të shkaktojë konflikt”, ka shrkuar më tej Veseli.

Sipas Veselit, Kosova është një shtet evropian demokratik, multi-etnik që garanton maksimumin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve jo-shumicë dhe kurrsesi nuk do të lejojë krijimin e mureve artificialë të ndarjes apo urrejtjes ndër-etnike.

Ai në fund i ka siguruar serbët e Kosovës që Kosova është shteti i të gjithëve atyre që jetojnë këtu dhe se ai do të kujdeset njësoj për të gjithë kudo ku banojnë.

Ky është reagimi i plotë i Kadri Veselit: