Veseli: Më 6 tetor do të fitojmë për të mos i lënë të tjerët ta dështojnë Kosovën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një tubim në Prishtinë sot ka shpalosur vizionin e tij si Kandidat për Kryeministër.

Veseli ka thënë se askush më shumë se PDK-ja nuk e ka të qartë drejtimin që i duhet Kosovës. Ai ka përmendur kauzën e tij për një luftë të pakompromis kundër korrupsionit, për një ekonomi të fortë dhe aleancë me shtetet mike të Kosovës

Lideri i PDK-së ka thënë se më 6 tetor do të fitojë për të mos i lënë që të tjerët ta dështojnë Kosovën.

“Të gjithë duhet ta dimë se 6 tetori nuk është thjesht një ditë votimi. Është referendum për të ardhmen e Kosovës. Nëse duam të ecim fuqishëm drejt rrugëtimit euro-atlantik, drejt ballafaqimit me sfidat reale të korrupsionit, nepotizmit, abuzimit, dështimit dhe rrezikimit të shtetit. Para nesh qëndron një moment kthese historike. Dhe, në të tilla momente, ajo që del në pah gjithmonë është Partia Demokratike e Kosovës”, ka deklaruar kreu i PDK-së, Kadri Veseli.

Veseli gjithashtu ka shtuar se “Nuk mund të ndërtohet e ardhmja për shtetin e Kosovës nga ata që dyshojnë në të, që e mohojnë identitetin e shtetit të Kosovës, nga ata qe s’kanë zemër ta çojnë lart flamurin e Kosovës. Nuk mund të ndërtohet një e ardhme këtu nga ata që vënë në dilemë dhe cenojnë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian”.

“Unë kam hyrë në luftë për Kosovën. Sot jam në politikë për Kosovën dhe vetëm për Kosovën. I përgjigjem vetëm qytetarëve, kombit tim dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Nuk do të ndalem deri në fund në luftën time për një Kosovë perëndimore, të zhvilluar, pa korrupsion, me ekonomi të fuqishme dhe anëtare e barabartë e familjes europiane. Prandaj, për të mirën e Kosovës, për të mirën e fëmijëve, grave dhe burrave, të rinjve dhe të moshuarve, ju thërras të gjithëve që të bëhemi bashkë”, ka deklaruar në fund të fjalimit të tij Kryetari dhe kandidati për kryeministër i PDK-së, Kadri Veseli.