Veseli: Në qeverisjen time katërvjeçare s’do të ketë njerëz të korruptuar

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, është zotuar sërish se se do ta luftojë korrupsionin dhe nepotizmin. Kjo, siç ka thënë kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, do ta paraqesë betejën më të madhe në karrierën e tij politike, raporton zeri.info. 

Veseli më tej ka thënë se lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit do t’i hapë Kosovës perspektivë të re të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës për të gjithë qytetarët pa dallim. 

“Shumë liderë të partive të tjera merren me mua dhe me Partinë Demokratike të Kosovës. Më shumë duhet të merremi me probleme që i kanë qytetarët, që është korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, ballafaqimi me Serbinë”, ka deklaruar ai gjatë një interviste për KosovaPress, përcjell zeri.info. 

Me këtë rast Veseli ka përsëritur se vija të kuqe ka vetëm për Serbinë, por jo edhe për shqiptarët. 

“Po më pengon nganjëherë kur vendosim vija të kuqe mes shqiptarëve, por unë kam vijë të kuqe vetëm me Serbinë dhe deri në fund kam me pasur me armiqtë e shtetit të Kosovës dhe kombit tim, kombit shqiptar. Ky është orientimi im. Do të kem komunikim të mirë me të gjithë për të mirën e Kosovës dhe mbrojtjen e saj për të ecur përpara. Unë jam shumë i kënaqur me reagimin e qytetarëve që po japin një përkrahje të madhe”, ka shtuar ai. 

Luftën ndaj korrupsionit, siç Veseli është zotuar, do ta bëjë ashtu sikurse luftën ndaj Serbisë. 

“Po ua jap fjalën. Nuk e bëjë këtë për vota, ose për t’i fituar një palë zgjedhje dhe një pushtet. Pra, i turpshëm qoftë ai që e mendon në atë. Do t’i shkoj deri në fund. E kam thënë dhe po e ripërsëris se ashtu si kam luftuar kundër Serbisë, do të luftoj edhe kundër korrupsionit edhe dukurive negative të cilat e dëmtojnë Kosovën sepse  po e dobësojnë Kosovën edhe në ballafaqim me Serbinë”, ka shtuar ai. 

Veseli gjatë deklaratës së tij treguar edhe se çka do të bëjë në rast se i fiton zgjedhjet e reja. 

“Nuk do të jem tolerant ndaj njerëzve në partinë time e lëre më ndaj partive tjera. S’do të ketë në qeverisjen time katërvjeçare njerëz të korruptuar, do t’i japim mundësi njerëzve të rinj dhe të pa korruptuar. Është një rrugëtim që është i pandalshëm, vetëm vonim nuk ka shpëtim. Ky është edhe qëllimi im jetësor në politikë, edhe pse kandidoj për kryeministër”, ka potencuar ai. 


Kryetari i PDK-së gjatë intervistës ka folur edhe për qëndrimet e fundit të vendeve të QUINT-it. Me këtë rast ai ka thënë se në zgjedhjet e reja qytetarët do të vendosin a duhet të vazhdohet rruga e partneritetit të sigurtë me aleatët perëndimorë apo duan që vendi të mbetet i izoluar e pa miq.   

“Ajo çka është më kryesore, këto zgjedhje që do të mbahen do të jenë shumë vendimtare për drejtimin që do ta marrë Kosova. A do të jetë një drejtim i partneritetit dhe mençurisë strategjike të Kosovës që së bashku me këtë partneritet ta mbrojmë këtë çka kemi arritur deri më tani dhe të ecim sigurt drejt integrimeve Euro-atlantike, apo do të kalojmë në një aventurë, e cila ka shumë të panjohura që është konfrontim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë perëndimor të Evropës që shihen si armiq”, ka shtuar ai. 

Tutje kreu i PDK-së ka folur edhe rreth takimit të djeshëm të dy liderëve opozitare, kryetarit të LDK-së Isa Mustafa dhe liderit të LVV-së Albin Kurti.

“Janë takime normale. Në rrethanat politike paritë politike edhe bëjnë koalicione. Është pak a shumë jo normale historia të cilën e kanë këta dy persona që po tentojnë të bëhen partner në rrethanat e reja. Në fakt nga ai takim mund të ketë vetëm diçka, është takim nga i cili nuk mund të presë asgjë qytetarët e Republikës së Kosovës. Takim që ka interes t’i akomodojnë interesat e tyre, të bashkëpartiakëve të tyre, është interes për pushtet”, ka nënvizuar Veseli. / Zëri