Veseli në SHBA: Tribunali për gjenocidin serb në Kosovë, hap për të sjellë drejtësi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në ditën e tretë të qëndrimit të tij në SHBA, ka takuar Kongresmenin Lee Zeldin, të cilin e ka informuar mbi iniciativën për formimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë, si një hap që duhet të ndërmerret për të sjellë drejtësi për mijëra viktima civile.

“Me kënaqësi të veçantë sot takova Kongresmenin Lee Zeldin, i cili bashkë me Kongresmenin Eliot Engel ka sponzorizuar Rezolutën për vëllezërit Bytyçi, të vrarë nga forcat serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë”, ka deklaruar Veseli, pas takimit.

Kreu i PDK-së, Veseli më tej shtoi: “Përzemërsisht falënderova kongresmenin, që nëpërmjet kësaj rezolute e cila u votua dje nga Komiteti për punë të Jashtme i Kongresit Amerikan, i bëhet thirrje Serbisë që të gjejë dhe të dënojë kriminelët serbë që kanë vrarë vëllezërit Bytyçi”.