Veseli: Prioritet i Kosovës është integrimi në NATO dhe BE

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar se prioritet i shtetit të Kosovës është angazhimi edhe më i madh për të përshpejtuar integrimin euro-atlantik duke synuar lidhjen me shumë partnerë si Franca në kuadër të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. ​

Këto komente ai i ka bërë me rastin e Ditës Kombëtare të Francës, në një ceremoni të organizuar nga Ambasada e Francës në Prishtinë.

Veseli, siç thuhet në një komunikatë për media të Kuvendit të Kosovës, ka vlerësuar lart angazhimin personal të presidentit francez, Emmanuel Macron, në mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të jetuar në paqe e fqinjësi të mirë.

“Miq francezë! Në 20 vjetorin e saj të lirisë, Kosova kultivon mirënjohjen më të madhe për vendin tuaj për ndihmën e dhënë. Por, njëherazi këtë ndihmë e sheh si obligim për të punuar më shumë në ndërtimin e një shteti demokratik me sundim të ligjit dhe me respektimin maksimal të të drejtave të njeriut e të pakicave”, ka theksuar kreu i Kuvendit.

Po ashtu, Veseli ka shtuar se Dita Kombëtare e Francës ka frymëzuar për shekuj me radhë, miliona njerëz anembanë globit për t’i rezistuar robërisë, padrejtësisë dhe diskriminimit duke potencuar se “vlerat e Revolucionit Francez janë në zemër e në themel të të dy shteteve tona”.

Ai ka shprehur falënderimin ndaj shtetit francez për kontributin e dhënë me rastin e intervenimit të NATO-s në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë.