Vetëvendosja me kuadro të reja

Deri të premten e 6 shtatorit subjektet politike në Kosovë do të kenë mundësi t’i përpilojnë listat e kandidatëve për deputetë dhe t’i dorëzojnë ato në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por deri tash asnjëra prej subjekteve politike nuk i ka përfunduar këto lista, në të cilat shumica e deputetëve të legjislaturës që shkoi pritet të jenë pjesë e garës për deputetë në zgjedhjet e reja të 6 tetorit, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Ndonëse kanë paralajmëruar se ende janë duke i përpiluar listat për kandidatë për deputetë, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë njoftuar se në këtë listë do të ketë kuadro të reja e të përgatitura.

Ish-deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në “Facebook” është shprehur se edhe subjektet tjera politike janë të tronditura nga aderimet e reja që kanë ardhur së fundmi në këtë parti. Kësisoj Haxhiu ka thumbuar listat e partive politike, që për disa vite kanë kandidatët e njëjtë.

“Pikërisht ata qe 10 vjet minimum kanë thënë premtimet e njëjta dhe ndonëse kanë qeverisur aq gjatë kanë sjellë degradim, krim, papunësi, pabarazi e padrejtësi. Ata sërish flasin njësoj, por tani as vetes nuk i besojnë më. Kthesa e madhe do të ndodhë më 6 tetor, fare s’e kemi problem t’i shohim e t’i dëgjojmë talljet e mashtrimet e tyre deri atëherë. Qytetarët e kanë kuptuar që Lëvizja me kandidatin e saj e sjell ndryshimin e përparimin”, ka thënë Haxhiu.

Në disa lista që kanë qarkulluar së fundmi numrin një të kësaj partie pritet ta marrë lideri i saj Albin Kurti, i cili tashmë është edhe kandidat i partisë për kryeministër të Kosovës.

Në listën e kandidatëve për deputetë pritet të futen edhe ish-deputetë nga legjislatura e kaluar, por edhe emra të rinj, të cilët kanë aderuar së fundmi në Vetëvendosje. Në këtë listë do të jenë ish-deputetët: Ismail Kurteshi, Arbër Rexhaj, Drita Millaku, Saranda Bogujevci, Fatmire Kollçaku, Arbërie Nagavci, ish-deputetja e Partisë së Drejtësisë Labinotë Demi-Murtezi, e cila së fundmi ka aderuar në Vetëvendosje, si dhe pretendues tjerë si Shpejtim Bulliqi dhe Sabri Kiqmari. Ndërsa ish-deputeti Sami Kurteshi ka paralajmëruar se nuk do të kandidojë edhe për një mandat./Zëri/