Vetëvendosje mbështet kandidatët shqiptarë në forcat socialdemokrate për zgjedhjet evropiane

Prej datës 23 deri në 26 maj në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje bën thirrje të mbështeten dhjetëra kandidatët me origjinë shqiptare, të cilët janë në listat e partive social-demokrate, të majta e progresive.

“Rritja e së djathtës ksenofobe e raciste, nxitja e frikës dhe e urrejtjes ndaj emigrantëve, këndvështrimi mbi kulturën e fenë si terrene të përplasjes e të luftës, janë fenomene që duhet të na shqetësojnë. Po ashtu, është shumë shqetësuese edhe indiferenca ndaj problemeve të mëdha ekonomike e strukturore që i shkaktoi neoliberalizmi”, thuhet në thirrjen e kësaj partie, drejtuar miqve dhe mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje që jetojnë në vendet e Bashkimit Evropian dhe që kanë të drejtë vote në ato vende.

“Andaj shpresojmë që në sesionin e ardhshëm të Parlamentit Evropian të shohim sa më shumë shqiptarë që ngrenë aty çështje me rëndësi për kontinentin e për kombin tonë, duke filluar që nga trajtimi i barabartë i shqiptarëve si individë e si shtete, avancimi demokratik e dekolonizues i të drejtës sonë për Bashkim Kombëtar, lufta kundër papunësisë, ruajtja e mjedisit, e deri te ndihma e bashkëpunimi evropian, i nevojshme për një zhvillim më të shpejtë ekonomik e demokratik në vendet tona”, thekson Lëvizja Vetëvendosje.