Vetëvendosje me kallëzim penal ndaj ish ministrave të Bujqësisë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, sot dorëzoi kallëzimin penal për ish ministrat e Bujqësisë, Nenad Rikallo, Memli Krasniqi, Blerand Stavileci, sekretarin e Ministrisë së Bujqësisë, Kapllan Halimi, drejtorin e Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë, Ekrem Gjokaj dhe ish drejtorin e kësaj agjencie, Elhami Hajdari.

“Jemi të vetëdijshëm që tashmë dhjetëra fermerë për vite të tëra kanë kallëzuar në prokurori, në polici për keqpërdorimet e mëdha qoftë me grantet e qoftë me subvencionet. Qindra ankesa e padrejtësi kemi pranuar prej tyre në këtë drejtim. Ndaj i kërkojmë prokurorisë që të mos vonohet me këto hetime, tashmë ka fakte të bollshme prej fermerëve, prej këtij kallëzimi e veçanërisht prej Raportin e performancës së Auditorit lidhur me procesin e menaxhimit të granteve dhe subvencioneve në sektorin e bujqësisë”, ka thënë para mediave Zyba.

Ai më tej ka dhënë hollësi mbi kallëzimin e bërë duke thënë se “Kallëzim i sotshëm i mbulon dy çështje, grantet në shumën 4 milionë euro të dhëna për 4 konzurciome dhe një kompani secila prej tyre e lidhur drejtpërdrejtë me drejtues politkë dhe ish ministra si dhe keqpërdorimet prej vitit 2014 në këtë fushë. Vitin e fundit në Ministrinë e Bujqësisë u sajua një masë e veçantë, në shpërputhje të plotë me vet kriteret e kësaj ministrie. Mandej edhe këto kritere ilegjitime të bëra publike për këtë masë fiktive, nuk u morën parasysh”.

Lëvizja Vetëvendosje pretendon se kompanitë që i fituan ato janë: Konzorciumit “NOVUS” SHPK-Pleurat Halili/Sofra Distribution SH.P.K/Blerim.B SH.P.K/ Catering Prishtina SH.P.K”, për projektin e ndërtimit e tregut të produkteve bujqësore në Prishtinë, “Horec Agromarket”, i janë dhënë 1 milionë euro, “Konzorciumi Dhemetra” – Armend Malazogu, Moea.shpk, i janë dhënë 1 milionë euro për ndërtimin e e kapaciteteve për prodhimin e plehut organik dhe ndikimin në mjedis, Zubin Potok D.O.O. – Rade Utovic, i janë dhënë 1 milionë euro për investime në objekt për magazinimin dhe ruajtjen e frutave si dhe në modernizimin e objekteve tjera përcjellëse-magazinimin dhe ftohjen e depove futjen e pajisjeve dhe të teknologjisë së re si dhe “Konzorciumit-NTP Arena Engineering-Kamer Elezaj/ D.P.T.Të shija/ Heron and Adea”, për “rritjen dhe therrjen e brojlerve” i janë dhënë 1 milionë euro.