Vetëvendosje me tubim kundër PANhajnisë në Dujakë të Gjakovës

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se vazhdoi fushatën me tubime kundër PANhajnisë në fshatin Dujakë të komunës së Gjakovës. Sipas njoftimit aty u diskutua me pjesëmarrësit për probleme dhe halle të vogla e të mëdha, lokale e qendrore.

Në tubim, bashkë me Albin Kurtin ishin edhe kryetari i Qendrës së Lëvizjes në Gjakovë, Agon Batusha, kryetari i Pikës në Dujakë, Shpejtim Knushi, asambleisti nga Dujaka Kreshnik Aliaj si dhe sekretari i Qendrës, Ngadhnjim Dana.

“Aferat dhe skandalet e pushtetarëve po bëhen publike. Tash është koha që edhe vendosmëria e qytetarëve të bëhet publike. Korrupsioni dhe nepotizmi i kanë copëtuar dhe dobësuar së tepërmi institucionet shtetërore duke i trajtuar ato si institucione familjare. Hyrja e krimit dhe e fajdes në zyrat e pushtetit e ka përjashtuar qytetarin prej shtetit.

Mungesa e ideve zhvillimore e ka rritur papunësinë dhe pabarazinë. Mungesa e një qeverie me plan dhe vullnet për punë është problemi më i madh i Kosovës. Hajnia që tash po del edhe nëpër video, është shkaku i ngulfatjes së Kosovës dhe arratisjes së qytetarëve prej saj.

Alternativa zhvillimore e Lëvizjes, bashkuar me popullin, është shumë herë më e fuqishme sesa një koalicion bazuar në korrupsion. Ekonomia prodhuese, arsimi cilësor, shëndetësia e garantuar dhe lufta kundër korrupsionit janë rruga drejt barazisë dhe lirisë. Një shtet i së drejtës e zhvillimor, me shërbime publike e sociale të garantuara e dinjitoze janë plani ynë për Republikën e Kosovës”, njofton Lëvizja Vetëvendosje.