VETËVENDOSJE mirëpret propozimin e Ramës për ministri të përbashkëta

Ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se në takimin me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në zgjedhjet e 6 tetorit doli fitues, do t’i propozojë ministri të veçanta të të dyja vendeve me qëllim të përmirësimi të marrëdhënieve në mes shteteve shqiptare. E si duket kjo ide i ka pëlqyer edhe kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Rama tha se këto ministri do të ishin adresë ku do të mund të adresoheshin sfidat në mes dy vendeve.

Derisa gjatë ditës së sotme është paralajmëruar një takim në mes të kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për KosovaPress, rreth idesë së kryeministrit shqiptar për këto ministri ka folur anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila tha se Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka pranuar zyrtarisht këtë propozim, por që e mirëpresin një propozim të tillë.

Haxhiu tha se fuqizimi i raporteve në mes Kosovës dhe Shqipërisë do jenë prioritet i Qeverisë Kurti.

Sipas saj, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të fokusohet në zbatimin dhe jetësimin e marrëveshjeve të nënshkruara në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

E në anën tjetër njohës të çështjeve ekonomike idenë ministrinë e Kosovës dhe tjetrën të Shqipërisë, po e vlerësojnë si deklaratë populliste e bërë për marketing politik.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu lidhur me këto ministri, tha se ky propozim i Ramës është në vazhdën e shumë propozimeve tjera spektakulare.

Sipas tij, nuk mund të ketë ngritje të nivelit të bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Shqipërisë me deklarata të tilla, pasi sipas Gërxhaliut nevojitet konkretizim në implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Gërxhaliu ka kërkuar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama të jetë më serioz në zbatimin e obligimeve që i dalin Shqipërisë nga marrëveshje e Stabilizm-Asocimit.

KosovaPress lidhur me propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për ministrit të veçanta në mes Kosovës dhe Shqipërisë, ka kontaktuar edhe Dhomës e Tregtisë në Shqipëri.

Përmes telefonit, kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka duke mos dhënë shumë komente rreth kësaj ideje, tha forumet e sipërmarrjes private Shqipëri-Kosovë brenda dhjetorit do të dalin me një platformë të përbashkët që do t’u adresohet dy qeverive.

Ndryshe, në mes të qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh për bashkëpunim ndërqeveritar  në shumë fusha, por që zbatimi i tyre nuk është duke ndodhur.