Vetëvendosje në Dragash publikon marrëveshjen e nënshkruar për bashkëqeverisj me LDK-në (Dokument)

Dega e Levizjes Vetëvendosje në Sharr, pas zhvillimeve të fundit politike në Dragash, e ka publikuar marrëveshjen e nënshkruar për bashkëqeverisje me LDK-në, raporton LAJME365.
Ata thonë se LDK-ja ka shkelur dy pika të marrëveshjes mes këtyre dy subjekteve politike.
”LDK ka shkelur 2 pika të marrëveshjes së mëposhtme:
– Çështjen e ndarjes së përbërjes së ekzekutivit komunal – Neni 8
– Koalicioni me partinë JGP – Neni 2”, thuhet në njoftimin e LVV-së dega në Sharr, përcjell LAJME365.
Njoftimi i plotë:
Pas vendimeve e emërimeve të fundit nga ana e kryetarit të komunës së Sharrit dhe nevojës për ta argumentuar e konkretizuar akoma më hollësishëm për opinionin e gjërë qëndrimin tonë rreth prishjes së koalicionit, përmes fotografive të mëposhtme, e prezantojmë marrëveshjen e nënshkruar (origjinalin) me datë 8 nëntor, të cilën nuk e respektoi subjekti që sot qeverisë me komunën, LDK-ja.
LDK ka shkelur 2 pika të marrëveshjes së mëposhtme:
– Çështjen e ndarjes së përbërjes së ekzekutivit komunal – Neni 8
– Koalicioni me partinë JGP – Neni 2
Për të parën ka insistuar që të ketë ndryshime në digasteret për të cilat u patëm dakorduar. Bëhet fjalë për drejtorinë e Arsimit, e cila me aq sa duket e me aq sa na e kanë transmetuar edhe vetë ata në takimet e mbajtura, është shndërruar në mollë sherri për kryesinë e degës së LDK-së në Sharr, gjë e cila është shumë irelevante për ne e për qytetarët e komunës tonë.
Është i habitshëm insistimi që kanë bërë që, edhepse e nënshkruar në marrëveshje, të ndryshohet kjo drejtori me një tjetër. E në anën tjetër edhe e pritshme, duke parë tendencat për rehatim të militantëve partiak, disa prej të cilëve të vetëdeklaruar për këtë çështje.
Rreth koalicionit me JGP, në marrëveshjen e nënshkruar, ne kemi kërkuar që, për shkak të bashkëpunimit të këtij subjekti politik por dhe implikimit të tyre në mirëmbajtjen e strukturave paralele sërbe që funksionojnë në Sharr, të mos janë as formalisht e as joformalisht pjesë e marrëveshjes së koalicionit qeverisës e as pjesë e ekzekutivit komunal. Në takimet e mbajtura pas fitores me ta, na është thënë që ne i kemi borgj JGP-së dhe është e nevojshme ta përfshijmë në ekzekutiv. E, ne për borgjet e huaja, as nuk bregosemi e as nuk ndihemi të obliguar.
Së fundmi, e pamë që për propozim në pozicionin e nënkryetarit për komunitete, pati anëtarin e JGP-së, Munezir Kuka, i cili është parë të jetë prezent e folës në tubimet e mbajtura nga presidenti sërb Vuçiq, për tendencat hegjemoniste edhe në zonën e Gorës, aty ku ende vazhdojnë të funksionojnë strukturat paralele sërbe.
Veprimi i tillë nga LDK është më shumë se mungesë etike në politikë. Është tradhëti. Por, për ne gjëja më e rëndësishme është konsistenca në parimet tona. Andaj, nuk jemi të zhgënjyer, e që besa as të befasuar. Veçse me vullnet të plotë për punët, sfidat e betejat e rradhës që na presin.
Ne do të vazhdojmë në opozitë. Nga aty, do të jemi zëri qytetar, që do të ndaloj secilën tendencë për keqpërdorime e do të mbrojë interesat publike.
Nënshtrimin nuk e kemi përjetuar e as nuk do ta përjetojmë kurrë sepse angazhimin politik nuk e shohim si rrugë për të arritur privilegje personale, por si angazhim për të mirën e përgjithshme e përpjekje për ndryshime rrënjësore.
Qendra e LVV Sharr,
13 janar, 2022
/lajme365.com

Tags: , ,