Vetëvendosje: U ndalen kiosqet milionëshe!

Përmes një komunikate për media, Lëvizja Vetëvendosje thotë se ” Përfundimisht ka fituar qytetari i Prishtinës mbi të drejtën e shfrytezimi të hapësirave publike.

Sot, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka hedhur poshtë, vendimin për dhënien në shfrytezim të kiosqeve, vendim ky që favorizonte bizneset e mëdha në kundërshtim me konkurencën e lirë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka kritikuar dhe kundërshtuar qysh në fillim kriteret e vëna për marrjen e kiosqeve. Këto kritere kanë qenë kritere diskriminuese duke favorizuar vetëm një grup të vogël interesash.

Hapësirat publike, janë të qytetarëve dhe për qytetarët. Te gjitha politikat në këtë drejtim, nga çdo nivel, duhet të bëhen në interesin e qytetarëve. Nuk ka politikë, e aq më pak diçka ‘socialdemokrate’ kur interesat personale dhe partiake bëhen në kurriz të qytetarëve.

Andaj, me anulimin e këtij vendim sot kanë fituar jo vetëm aplikuesit potencial për shfrytezimin e kiosqeve, por çdo qytetar i Prishtinës”, thuhet në këtë komunikatë .