Veton Surroit tregon kush duhet të mandatohet për kryeministër të ri

Publicisti Veton Surroi ka deklaruar se procedura për nominimin e mandatarit të ri për kryeministër të Kosovës duhet të fillojë përsëri me Lëvizjen Vetëvendosje, partinë fituese të zgjedhjeve.

Surroi ka nënvizuar se Kosova po kalon në një periudhë të rëndë në luftë kundër pandemisë COVID-19 dhe i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, edhe pse në dorëheqje, të vazhdojë angazhimin e saj maksimal në këtë drejtim.

Këto komenti Veton Surroi i ka bërë në një postim në profilin e tij në rrjete sociale.

 

Ky është postimi i plotë i Veton Surroit:

NEVOJË PËR VENDIME MATURIE

1. Para çdo interesi tjetër të veçantë (politik, partiak,etj) interesi i Republikës së Kosovës është që në javët në vijim të luftohet pandemia COVID-19. Kemi hyrë në dy javët kritike dhe i tërë përqendrimi i resurseve qeveritare e shoqërore duhet të jetë i drejtuar aty
2. Qeveria e Republikës së Kosovës është prej sonte në dorëheqje. Ajo duhet të vazhdojë punën çdo orë dhe çdo ditë, duke u marrë me krizën e COVID-19. Ministrat e LDK-së, brenda ndërgjegjes së tyre, kanë obligim ndaj vendit që ta vazhdojnë detyrën.
3. Qeveria në dorëheqje e Republikës së Kosovës mund të zëvendësohet vetëm nga një Qeveri e re e krijuar brenda procedurave kushtetuese.
4. Është obligim kushtetues që konsultimi për të mandatuar kryeministër të ri të fillojë me partinë apo koalicionin fitues të zgjedhjeve , pra LVV.
5. Në çështje prioritetesh kohore, lufta kundër COVID-19 meriton vëmendje të plotë, dhe çdo çështje tjetër që mund të merr më shumë kohë , siç janë konsultimet politike , shndërrohen në dytësore.
6. Kushtetuta e Kosovës nuk ka afat të përcaktuar për procesin e nominimit të kandidatit të ardhshëm për mandatar. Andaj , sado të marrë kohë ky proces, vendi duhet të përqendrohet në luftën kundër COVID-19. Qeveria në dorëheqje ka autorizime të mjaftueshme ligjore për ta vazhduar punën pa nevojë të përkrahjes së Kuvendit të Kosovës, i cili duhet të mblidhet kurdo që të jetë e gatshme marrëveshja për zgjedhjen e Qeverisë së ardhshme.