Vetura e ekipit të REL-it sulmohet nga rreth 50 persona në Veri

Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është pamundësuar puna të mërkurën, më 13 tetor, nga një numër protestuesish në Rudarë të Zveçanit.

Me të hyrë në Rudarë, vetura me të cilën po udhëtonte ekipi i Radios Evropa e Lirë, është ndaluar dhe është rrethuar nga rreth 50 persona, të cilët kanë kërkuar që të mos xhirohen. Në tentim për ta marrë kamerën, e kanë dëmtuar atë dhe makinën taxi, me të cilën ishte duke udhëtuar ekipi.

Ekipi i REL-it po udhëtonte në magjistralen Prishtinë-Rashkë, për të raportuar për barrikadat e vendosura në Rudarë të Zveçanit.

Serbët lokalë kanë vendosur aty kamionë, për të kundërshtuar një aksion të organizuar nga Policia dhe Dogana e Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.

Më herët gjatë ditës, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehu shqetësimin lidhur me sulmet që u janë bërë gazetarëve në veri të Kosovës, të cilët po raportonin për aksionin policor.

Policia e Kosovës ka thënë se janë arrestuar dhe ndaluar tetë persona. Ndërkaq janë shpallur në kërkim edhe dhjetë të tjerë, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në kontrabandë me mallra.

Aksioni policor u zhvillua në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Policia tha se në këtë aksion u sekuestruan mallra dhe dëmmi të ndryshme “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj”.