(VIDEO) Zemaj: Shtimi i numrit të rasteve me COVID-19, pasojë e mos respektimit të rekomandimeve

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sërish ka bërë thirrje për respektim të masave mbrojtëse nga COVID-19.

Zemaj përmes një video-mesazhi të postuar në rrjetin social në Facebook, ka thënë se shtimi i numrit të rasteve me COVID-19, vjen si pasojë e mosrespektimit të rekomandimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK)

Sipas tij, MSH është duke punuar maksimalisht për parandalimin e COVID-19.

Tutje ministri Zemaj, shtoi se në bashkpunim me qeverinë po bëjnë çmos që mos t’i kthejnë masat e izolimit.

“Të nderuar qytetarë, normalizimi i jetës së qytetarëve të Kosovës, është qëllimi kryesor i punës tonë në këtë kohë, por virusi është akoma present. Jeta jonë e përditshme sigurisht që ka ndryshuar, ajo cka duhet të bëjmë është që të adaptohemi me realitetin e ri, për të na ndihmuar neve, stafit shëndetësorë dhe të gjithë atyre që kujdesen për shëndetin tuaj që ju të keni një jetë më të lehtë, ju lutem respektoni masat mbrojtëse. Ne po punojmë maksimalisht për parandalimin e coronavirusit. Siç e dini shumë shtete në rajon, por edhe në botë po ballafaqohen me rritje të numrit të të infektuarëve.

Edhe në Kosovë këto ditë kemi shtim të numrit të rasteve me COVID-19, dhe kjo po vjen si pasojë e mosrespektimit të rekomandimeve të IKSHPK-së. Rreziku është që nëse nuk i respektojmë masat mbrojtëse mbingarkohet sistemi shëndetësor, rëndohet puna e mjekëve dhe infermierëve tanë të çmuar. Ne dhe qeveria po bëjmë çmos të mos i kthejmë masat e izolimit. E kemi mbështetur IKSHPK që t’i shtojë testimet në masë. Njëherit, po angazhohemi që të mundësojmë testimet tjera masive. Kjo do të na mundësonte që të kemi në kontroll situatën pandemike. Kjo do të na shpejtësonte lehtësimin e masave, e me këtë do të kemi zhvillim normal të jetës, ekonomisë, bisneseve si dhe do të mundësohet ardhja e mërgatës sonë përmes linjave ajrore dhe tokësore. Të dashur qytetarë zgjidhja jonë e vetme është që të zbatojmë manualin e Ministisë së Shëndetësisë, për mbrojtje nga përhapja e coronavirusit. Beteja jonë kundër COVID-19, vazhdon. Bashk do ia dalim…”, ka thënë ministri Zemaj. /Telegrafi/