Vihet gurthemeli i mbi 30 shtëpive për komunitetin egjiptian në Pejë

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skënder Reçica, ka marrë pjesë në vënien e  gurthemelit për ndërtimin e mbi 30 shtëpive për komunitetin jo shumicë në komunën e Pejës, raporton Ekonomia Online.

Reçica tha se është përkushtim i ministrisë që të kujdesën për jetesën e qytetarëve të Kosovës ndërsa ka shtuar se bashkëpunime të tilla do të vazhdojnë.

“Është ky një përkushtim i yni që të jemi afër çdo qytetari pavarësisht situatës, pavarësisht gjendjes sot është një lajm i mirë për të gjitha komunitetet sepse jemi këtu në rajonin e Dukagjinit më konkretisht në Pejë dhe po vëmë gurthemelin pas atij në Lipjan dhe po fillojmë ndërtimin e mbi 30 shtëpive të komunitetit egjiptian. Është ky një projekt ku përfshin ndërtimin e 273 shtëpive në më shumë se 20 komuna, është projekt që gëzon familjet pakicë në Kosovë. Ndërtimi i këtyre shtëpive si këtu në Pejë ashtu në Lipjan dhe komunat tjera që do të bëjmë në vazhdim është sinjal se qeveria e Kosovës do të  jetë pranë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me komunitetet”, tha Reçica.

Deputeti Veton Berisha ka thënë se strehimi akoma mbetet situatë shqetësuese e komunitetit egjiptian, ndërsa ka shtuar se do të punojnë në këtë drejtim qe t’u sigurohet strehim të gjitha familjeve në nevojë.

 “Vërtet strehimi mbetet situatë shqetësuese për ne dhe do të këmbëngulim që njerëzit e këtyre komuniteteve dhe të gjithë njerëzit në nevojë të kenë ta gjithë kulm mbi kokë”, ka thënë Berisha.

Drejtori i Financave në Komunën e Pejës, Naim Bazaj, ka thënë se komuniteti egjiptian kanë qenë mëse në nevojë për një projekt të tillë.

“Ky shi po e pasqyron më së miri bereqetin për këto familje. Vetoni dhe njerëzit e tjerë në këtë komunë se kanë lanë rehat ministrin deri sa janë realizuar këto projekte. Familjet janë mëse në nevojë për këto shtëpi”, tha Bazaj, raporton EO.