Viti i ri shkollor filloi me grevën e arsimtarëve në Maqedoninë e Veriut

Rreth 260 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme si dhe rreth 20 mijë nxënës të klasës së parë ndryshe nga çdo fillim shtator nuk u ulën në bankat e tyre shkollore në Maqedoninë e Veriut. Mësimdhënësit e tyre u hodhën në grevë. Nga sindikata e mësimdhënësve thonë se me Ministrinë e Arsimit do të negociojnë deri në fund të shtatorit. Nëse nuk pranohen kërkesat e tyre për rritjen e pagave, atëherë do të marrin masa më radikale.

“Ekzistojnë më shumë opsione, nga protestat masovike, grevë të përgjithshme, bllokim të autostradave, pikave pagesore, rajoneve qendrore të kryeqytetit dhe të tjera. Pra me masa legjitime të presionit që mund ti shfrytëzojë sindikata jonë” -tha Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

Pavarësisht se nuk u mbajtën aktivitet e rregullta të parashikuara për ditën e parë të mësimit, për ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, procesi mësimor ka filluar normal dhe arsimtarët janë paraqitur në vendet e tyre të punës.

“Në shumicën e shkollave në vend po mbahet mësimi, po zhvillohen aktivitetet e parapara dhe se mësimdhënësit janë në krye të detyrës. Por megjithatë për një rekapitullim të ditës së sotme do na duhet pak kohë”-pohoi Arbër Ademi, MASH.

Nëpër shkolla atmosfera ishte e heshtur. Në shkollën fillore Rajko Zhinzifof në Çair, drejtoresha Burbuqe Ymeri tha se nxënësit nuk kanë ardhur pas njoftimeve për grevë në media. Ndërsa mësimdhënësit shtojnë se meritojnë jetë të denjë.

“Të gjithë nxënësit, të gjithë prindërit e dinin se kanë greva arsimtarët. Të gjithë arsimtarët janë prezent, janë të vendosur në zyrë, kështu që nesër fillon mësimi i rregullt”-theksoi Burbuqe Ymeri, SH.F. Rajko Zhinzifof.

“Shpresojmë dhe besojmë se do të fitojmë për shkak se arsimtari meriton një jetë i denjët, meriton të jetë i motivuar”-tha Bllagica Mihaillova, arsimtare në Rajko Zhinzifof.

Në Sh.F. “Liria”, kishte program të posaçme për nxënësit e klasës së parë. Arsimtarët dhe nxënësit e klasave tjera nuk ishin të pranishëm. Zv/Drejtori Nuri Rexhepi tha se nuk mund të anulonin aktivitetin e përgatitur paraprakisht.

“Meqë krijohet një huti në opinion sepse Ministria del me apel që të vazhdohet mësimi, sindikata ka Qëllimet e veta, ne në këto gjëra nuk jemi përzier dhe nuk do të përzihemi, por ishte i pashmangshëm ky takim me të vegjlit, sepse kemi një ndjeshmëri ndaj tyre”-pohoi Nuri Rexhepi, zv/drejtor i Sh.F. “Liria”.

SASHK-u dhe Ministria e Arsimit një kohë më të gjatë përpiqen te gjejnë gjuhë të përbashkët për përmirësimin e kushteve të mësimdhënësve. Ata duan që mësimdhënësve dhe punonjësve teknik nëpër shkolla tu rriten pagat për 25 %.

Greva e punonjësve të arsimit është mbështetur nga dy partitë shqiptare, Alternativa dhe Lëvizja Besa. Nga partia e Afrim Gashit thotë se arsimtarët meritojnë kushte shumë më të mira për punë dhe të ardhura më të larta, pasi sipas Alternativës, nuk mund të ketë reforma me arsimtar që jetojnë në pragun e varfërisë. Nga Lëvizja Besa gjithashtu mbështesin kërkesat  e arsimtarët ndërsa akuzojnë qeverinë për mungesë të vizionit dhe planit afatgjatë në fushën e arsimit. / Alsat