Viti i ri shkollor po fillon me probleme të vjetra

Me probleme të njëjta e gjen viti i ri shkollor 2019/2020 sektorin e arsimit në Kosovë.

Në të gjitha nivelet gjatë dy vjetëve të qeverisjes së fundit arsimi u përball me vështirësi të shumta, ndërsa ekspertët vlerësojnë se që nga paslufta këto kanë qenë vitet më të rënda për këtë sektor. Kjo pasi konsiderojnë se u shënua ngecje e përgjithshme e shumë proceseve dhe nuk pati ngritje të cilësisë.

Niveli parauniversitar, konkretisht shkollat fillore dhe të mesme edhe këtë vit do të mësojnë në tekste me gabime. Ndonëse u hartuan libra të rinj për klasat 1,2,6,7, 10 dhe 11, edhe në ta u gjetën gabime të shumta. Megjithatë, Ministria nuk i anuloi këto tekste dhe vendosi t’i botonte. Përgjegjësinë për gabime Ministria ua la recensentëve, shkruan Koha Ditore.

Klasat 3,4,5,8,9 dhe 12 edhe këtë vit do të mësojnë me tekste të vjetra. Këto tekste nuk përputhen me kurrikulën në fuqi. Ministria e Arsimit ka paralajmëruar se për këto klasë nuk do të ketë tekste të reja deri vitin e ardhshëm.

Në arsimin parashkollor do të vazhdojë të jetë sfidë mungesa e kurrikulës për edukim në fëmijërinë e hershme 0-5 vjeç. Edhe pse MASHT-i ishte zotuar se ky dokument nga shtatori do të jetë në duar të edukatorëve, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë. Kjo pasi MASHT-i ende nuk e ka miratuar këtë kurrikulë.

Në gjendje të vështirë është edhe arsimi i lartë. Ky nivel këtë vit ka përballë dy sfida të mëdha. Në shtator Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR)dhe Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) vendosin për fatin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA). Për shkak të ndërhyrjeve politike në Agjenci nga kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, dhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, EQAR-i e përjashtoi AKA-në derisa ENQA ja zbriti statusin nga “anëtare me të drejta të plota” në anëtare “nën shqyrtim”. Kjo pasi më 25 shtator 2017 Shyqiri Bytyqi shkarkoi Bordin e Agjencisë dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit të këtij institucioni duke ndërhyrë në këtë institucion të pavarur.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka premtuar se nga shtatori do të nisë mësimi tërëditor në disa shkolla që punojnë me një ndërresë. Burime të gazetës brenda MASHT-it kanë thënë se një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndodhë meqë nuk janë plotësuar kushtet infrastrukturore në këto shkolla. Në mungesë kushtesh, fillimi i këtij procesi kishte dështuar edhe vitin e kaluar.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) ka kërcënuar se nëse nis realizimi i këtij procesi do ta kundërshtojnë ashpër. Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se shkollat e Kosovës nuk i plotësojnë kushtet për mësim tërëditor.