Vjosa Osmani deklarohet pas takimit me Lumir Abdixhikun

Kandidatja për Presidente të Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se gjithçka në këtë takim ishte në frymë pozitive, ndërkaq u shpreh se pret mbështetej nga ish-kolegët e saj në LDK.

Osmani në një deklaratë për Telegrafin tha se kanë diskutuar në këtë takim në detaje për platformën e saj presidenciale, ndërkaq u shpreh se pret që LDK-ja ta njoftojë për qëndrimin përfundimtar gjatë ditëve në vijim

“Përgjithësisht ishte një takim shumë i mirë. Kisha mundësi që në detaje të flas për platformën time presidenciale, për fushat të cilat janë brenda funksionit të kreut të shtetit dhe mënyrën se si do t’i qasem opozitës në të ardhmen, sa i përket bashkëpunimit në këto fusha, kryesisht në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, por edhe çështje të tjera që është e domosdoshme që të shtyhen përpara”, theksoi Osmani.

Ajo tha se pret që ish-kolegët e saj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ta përkrahin për tu zgjedhur presidente.

“Natyrisht unë pres përkrahje nga ish-kolegët e mi edhe të gjithë deputetëve, sepse është në interes të vendit që të bëjmë konstituomin e institucioneve sa më parë që të jetë e mundur që të kemi të tri institucionet funksionale dhe jam e bindur që të gjithë e kemi atë qëllim të përbashkët, ai është që ta çojmë Kosovën përpara”, u shpreh ajo, transmeton Telegrafi.

Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani

Osmani theksoi se bashkëbisedimi me kryetarin dhe nënkryetarin e LDK-së ishte shumë kolegial.

“Ishte një bashkëbisedim shumë kolegial me njerëz me të cilët kam bashkëpunuar në këto 20 vitet e fundit, natyrisht ishte gjithçka në frymën pozitive. Pasi e prezantova këtë platformë presidenciale kreu i LDK-së, Abdixhiku dhe nënkryetari i LDK-së kërkuan të rikthehen në organet e partisë së tyre dhe të diskutojnë më në detaje, dhe pastaj do të takohemi edhe njëherë në ditët në vijim shumë shpejt, sepse afatet po rrjedhin, dhe të më njoftojnë për qëndrimin e tyre përfundimtar”, tha tutje.

Osmani po ashtu u shpreh e gatshme që të takohet me secilën parti dhe secilin deputet për të diskutuar për platformën e saj presidencilae.

“LDK-ja ka kërkuar që ta mbajmë këtë takim, por natyrisht unë jam e gatshmë që të takohem me të gjitha partitë dhe ta diskutoj në detaje platformën presidencilae por edhe me deputetë individual nëse ka interesim”, tha ajo. /Telegrafi/