Vjosa Osmani: Paratë e tenderëve të asfaltit do t’i investojmë në arsim e shëndetësi

Gjatë një takimi me qytetarët e Degës së III-së të LDK-së në Prishtinë, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, tha të enjten se paratë e asfaltit dhe përqindjet e korrupsionit nga tenderët, gjatë mandatit të saj qeverisës do të investohen në arsim, shëndetësi dhe perspektivë për të rinjtë tanë.

“Qindra miliona të buxhetit i kanë shpenzuar në asfalt dhe tenderë korruptivë, ndërsa shëndetësia, arsimi, rinia dhe pensionistët kanë mbetur në gjendje të mjerueshme. Kjo praktikë korruptive do të marrë fund më 6 tetor me fitoren tonë në zgjedhje”, tha Vjosa Osmani.

Ajo potencoi se pa investime në arsim nuk mund të krijohet perspektiva për të rinjtë, të cilët nuk po kërkojnë asgjë më shumë sesa barazi dhe meritokraci për të gjetur një vend pune.

“Pa një sistem të zhvilluar arsimor nuk mund ta ndërlidhim atë me tregun e punës. Investimet në perspektivën e rinisë dhe kthimi i shpresës për jetë në Kosovë do të jetë prioritet i qeverisë sime. Do t’i ndihmojmë në arsim, në punësim, ndërsa çifteve të reja do t’ju ndihmojmë në blerjet në banimin e parë. Prindërve të rinj, sidomos nënave do t’ju ndihmojmë rritjen e fëmijëve nëpërmes një sistemi efikas parashkollor, në mënyrë që ato më lehtë të punësohen dhe të ndihmojnë mirëqenien e familjeve të tyre”, tha nënkryetarja e LDK-së dhe kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani.

Ajo u është përgjigjur edhe oponentëve politikë lidhur me nënshtetësinë e vajzave të saj. “Është e vërtetë që vajzat e mia kanë nënshtetësi të Australisë, por unë kam vendosur t’i rrisë në Kosovë, në shkolla publike dhe trajtimin shëndetësor, sikur në të kaluarën, do ta marrin në sektorin publik, sikur të gjithë fëmijët e Kosovës”, tha Osmani.

Ajo ju ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të qëndrueshëm edhe dy ditë dhe me vullnetin e lirë ta jetësojnë ndryshimin e madh.

“Pas 6 tetorit të gjithë qytetarët e Kosovës do të jenë të lirë nga krimi dhe korrupsioni dhe nuk ka nevojë dhe as vend për frikë. Le të frikësohen vetëm ata që janë bërë milionerë brenda natës dhe ata që janë bërë doktor shkencash pa diplomën e shkollës fillore”, tha Vjosa Osmani.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën nuk mund të fitojë askush, përveç LDK-së. “Hafijet dhe frikacakët me goditje të ulëta po synojnë me na përça. Kot e kanë sepse besimin që ia kemi falë Vjosës nuk e thyejmë. Mos ju besoni as ju qytetarë të nderuar. Veç edhe dy ditë kanë mbet dhe ta shohim se si funksionojmë ne. Turpi është i tyre, le ta mbajnë”, tha Haziri.

Hazir Borovci, kryetar Degës së III-të të LDK-së, tha ata janë të nderuar që nga dega e tyre është propozuar për deputete, kryeministrja e ardhshme, Vjosa Osmani. / Express