“Vogue”: Dua Lipa, artistja që vjen nga trashëgimia e protestës

Prejse është bërë super e suksesshme, ajo ka përdorur platformën e saj për ndryshime pozitive, qoftë duke themeluar “Sunny Hill Academy” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, apo duke folur mbi pabarazinë gjinore në industrinë muzikore.

Ky është një nga vlerësimet e bëra nga versioni australian i revistës së njohur “Vogue” për artisten me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, me të cilën edhe ka realizuar një intervistë teksa ajo është në pritje të realizimit të albumit të saj në Los Angeles. Pasi përmend rrugëtimin e këngëtares 24-vjeçare nga koha kur ajo u bë artistja më e shfaqur në “Spotify” e deri te rrëmbimi i dy çmimeve “Grammy”, revista thekson se Dua është një yll me synime, një femër e re e vendosur për të sfiduar çështjet globale.

“Nuk është aspak keq për një vajzë nga Londra veriore (me prindër nga Kosova, që kërkuan azil në Mbretërinë e Bashkuar më 1992)”, shkruan “Vogue”.

“Duas gjithmonë i është dashur të lëvizte. Pasi ishte kthyer nga Londra në vendlindjen e prindërve në Kosovë, në moshën 12-vjeçare, ajo e bindi babanë e saj, këngëtar i dikurshëm rocku, dhe nënën, një punëtore në industrinë e turizmit, që ta lejonin të kthehej vetë në kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar kur ishte vetëm 15 vjeçe. Ajo qëndroi te një i afërm i familjes dhe studioi në Sylvyia Young Theatre School, duke jetuar përmes modelimit dhe duke postuar coversa të Jamie XX dhe Mila J në YouTube”, shkruan “The Vogue”.

Në artikullin, që ka si autore gazetaren Hattie Collins, thuhet se ngritja e shpejtë e Duas drejt suksesit botëror ka qenë e papritur.

“Sigurisht se askush, e mbase as vetë Dua, nuk mund të ketë parashikuar një trajektore të tillë të jashtëzakonshme, meqë ajo hyri qetësisht, por vendosmërisht, në ndërgjegjen e muzikës pop në vitin 2015 me debutimin e saj ‘New Love’”.

Në intervistën e saj për revistën australiane, Lipa ka folur edhe për albumin e saj të dytë që pritet të lansohet brenda pak javësh. / Koha.net
https://www.koha.net/showbiz/182446/vogue-dua-lipa-artistja-qe-vjen-nga-trashegimia-e-protestes/