Vonesa në prokurim i lë shkollat pa u rinovuar

Vonesat në procedurat e prokurimit kanë bërë që rinovimet në disa shkolla në Kosovë të mos kryhen me kohë, andaj edhe fillimi i vitit të ri shkollor nuk i ka gjetur të përgatitur të gjitha ambientet shkollore. Në disa shkolla në Prishtinë ka mbetur pa u kryer meremetimi, ndonëse mësimi tashmë ka filluar, shkruan gazeta “Zëri”.

Viti i ri shkollor 2019 – 2020 i ka gjetur të papërgatitura disa shkolla në vend, të cilave u ka mbetur në gjysmë rinovimi. Kjo gjë ka shqetësuar analistë të çështjeve të arsimit e përfaqësues të mësimdhënësve, të cilët kanë thënë se një gjë e tillë paraqet dështim të sistemit lokal. Derisa disa shkolla në komunën e Prishtinës ende nuk e kanë përfunduar rinovimin, ka edhe të tilla që ende nuk e kanë filluar atë.

Fatlum Osmani, zyrtar për Inventarizim dhe Logjistikë në Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë, ka thënë për “Zërin” se arsyeja e mospërfundimit të rinovimeve është vonesa e procedurave të prokurimit. Pavarësisht mospërfundimit të rinovimeve, ai ka thënë se të gjitha shkollat në kryeqytet kanë filluar procesin mësimor. “Të gjitha shkollat e komunës së Prishtinës kanë filluar procesin arsimor më 2 shtator 2019. Rinovimet e shkollave kanë filluar dhe janë në proces të realizimit. Shkaku se pse nuk kanë përfunduar rinovimet dhe në disa ende nuk kanë filluar është për vonesa në realizimin e procedurave të prokurimit”, ka thënë ai. /Zëri/