Vrasja e Agonis Tetaj – familja ngritë kallëzim penal ndaj prokurorit Agron Uka

Familja e Agonis Tetaj, i vrarë në vitin 2018 nga Shaban Gogaj, ka ngritur kallëzim ndaj prokurorit Agron Uka, i cili e ka riklasifikuar lënden nga “Vrasje e Rëndë”, në Vrasje nga Pakujdesia”.

Këtë e ka konfirmuar për Insajderin, Berat Tmava, avokat i familjes së të ndjerit, Agonis Tetaj, i cili ka thënë se ka prova të mfajtueshme se prokurori Uka ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

“Po, kemi bërë kallëzimin penal për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Ne pretendojmë që ka prova të mjaftueshmë që të vërtetohet keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe të zbatohen hetimet paraprakisht dhe të ngritet aktakuza ndaj prokurorit Agron Uka”, tha Tmava për Insajderin.

Tmava po ashtu konfirmoi se sot i ka dërguar një letër kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, përmes së cilës ka kërkuar që rastin ta marrë Prokuroria e Pejës, gjegjësisht prokurorja Sahide Gashi.

“Po, unë kryeprokurorit të shtetit Alekdandër Lumezit iu kam drejtuar me një shkresë edhe kam kërkuar që lënden ta marrë ai prokuror që e ka ngritur akuzën, do të thotë Prokuroria Themelore në Pejë, departamenti për krime të rënda, gjegjësisht prokurorja Sahide Gashi”, theksoi Tmava.

Ndërsa, seanca e paraparë për nesër në të cilën do të shpallej aktivendimi i Gjykatës, është anuluar dhe gjithçka tani do të nis nga fillimi.

Avokati Tmava tha se tani çdo veprim është ndaluar pas vendimit të kryepokurorit Lumezi që të caktohet një prokuror tjetër në këtë rast.

“Tash çdo veprim është ndaluar, tash gjithqka nis nga fillimi. Në momentin që kryeprokurori i shtetit që ka thënë se do ta caktojë një kryeprokuror tjetër ta përfaqësojë akuzën, atëherë gjithqka nisë nga fillimi”, theksoi ai.

Prokurori Agron Uka të martën, vetëm dy ditë para shpalljes së aktgjykimit ka rikualifikuar veprën nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje nga pakujdesia”.

Ndaj këtij veprimi të prokurorit Uka ka reaguar babai i Agonisit, Isuf Tetaj, i cili i ka dërguar një letër publike, kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, ministrit në detyrë të Drejtësisë, Selim Selimi, në të cilin po e akuzon prokurorin Agron Uka, se është duke manipuluar me rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj.

“Agonisi djali im u vra në vendin e punës në ditën e diele nga djali i pronarit të biznesit në të cilin ka qene i punësuar. Po ju shkruaj me qëllim që te ju informoj dhe alarmoj se prokurori z.Agron Uka, dje ne seancën gjygjësore në të cilën është thënë fjala përfundimtare nga palët pa asnjë provë dhe në kundërshtim me krejt realitetin ka rikualifikuar vrasjen e djalit tim nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia”, ka shkruar Isuf Tetaj në letrën e tij.

Tetaj në letrën të cilën ua ka dërguar kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, ambasadorit të SHBA-së në Kosovë Philip Kosnett, ambasadorit të Britanisë në Kosovë Nicholas Abott dhe atij të Gjermanisë, Joern Rohde, ka bashkëngjitur edhe aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj. /Insajderi.org