Vrasja makabre në Rahovec: Vëllai e vrau vëllain pastaj e tërhoqi zvarrë dhe ia dogji trupin me mbeturina

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit G.K., për shkak të veprave penale “Vrasje e rëndë”, dhe, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më 11 shkurt 2020,  në fshatin Bërnjak, Komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje ka privuar nga jeta vëllain e tij, B. K., përcjell Demokracia.com.

“I pandehuri paraprakisht kishte njohuri se vëllai,  kishte një shumë të konsiderueshme të parave të cilat i kishte marrë me vete nga shteti i Zvicrës,  dhe ditën kritike rreth orës 09:00 i pandehuri kishte shkuar në shtëpinë e tij, ku gjatë një bisede të përbashkët, i pandehuri ishte fyer nga tani i ndjeri me pretekst se po i ndërhynë në familjen e tij. I revoltuar nga kjo i pandehuri kthehet në shtëpinë e tij, merr revolen,  ku rreth orës 11:00 përsëri shkon në shtëpinë e të ndjerit B.K, hynë brenda në shtëpi, dhe në sallon, ku po qëndronte i njëjti, e ka goditur me predha në gjoks duke e lënë të vdekur në vend. Më pas i pandehuri e merr kufomën, dukë e tërhequr zvarrë me një batanije, e qet në oborr të shtëpisë, më pas kufomën e mbulon me materiale të ndryshme si: dru, plastika, thasë letre, dërrasa, letër të zezë, e gjëra tjera,  të cilat më pas i ndez duke krijuar një zjarr të madh  i cili qëndron  i ndezur 2-3 ditë, dhe më pas mbeturinat se bashku me disa mbetje kockore të tani të ndjerit i hedh jashtë shtëpisë në një vend deri tani të pa identifikuar më qëllim për ti zhdukur gjurmët e krimit”, thuhet në njoftim.

“Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”. Po ashtu, i dyshuari më parë e deri më 11 shkurt 2021, pa autorizim ka poseduar armë dhe municion, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, në Republikën e Kosovës. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontrolle ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet më tej në njoftimin e prokurorisë.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente, që i pandehuri G.K., të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë./Demokracia.com/