Vrasja në Emshir të Prishtinës, raporti i Policisë për rastin

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka njoftuar rreth rastit të vrasjes në lagjen Emshir të Prishtinës, ku një person dyshohet se ka vrarë ish-bashkëshorten dhe pastaj veten.

Policia njofton se rasti ka ndodhur saktësisht në rrugën “Ali Vitia”, të dielën në ora 08:59.

“Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës femër kosovare më pas ka qëlluar edhe veten me armë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore ndërsa, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e të dyshuarit dhe viktimës”, thuhet në raport

Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar arma e përdorur në rast, ndërsa me vendim të prokurorit trupat e pa jetë janë dërguar në IML për obduksion.

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes – kryerjes së ekzaminimeve forenzike të deritanishme si dhe veprimeve të para hetimore policia ka ngritur versionin e hetimit se kemi të bëjmë me rast të vrasjes dhe vetëvrasjes. Viktimat një femër 44 vjeç dhe një mashkull 44 vjeç, shtetas Kosovar, kanë humbur jetën nga plagët e marra me armë zjarri”, ishte thënë të dielën.

Ndryshe, sipas dyshimeve fillestare, personi i gjinisë mashkullore fillimisht ka privuar nga jeta personin e gjinisë femërore, e më pas ka kryer vetëvrasje.

“Prokurori i Shtetit, në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të grumbullimit të informatave dhe provave rreth këtij rasti”, thuhet më tej në njoftim.

Një femër e moshës 44 vjeçare dhe një mashkull  44 vjeçar, sot rreth orës 09:00 u gjetën pa shenja jete në lagjen “Emshir”, në Prishtinë, mirëpo Policia e Kosovës thotë se bëhet fjalë për vrasje dhe vetëvrasje. /Telegrafi/