Vrasja në Prishtinë: Burri vrau gruan më pas veten

Një grua rreth të 50-ve është vrarë nga burri i saj mëngjesin e sotëm në Prishtinë, më pas i dyshuari ka vrarë edhe vetën, mëson Gazeta Express nga burimet e saja.

Vrasja dhe vetëvrasja ka ndodhur me armë zjarri, e cila është gjetur në vendin e ngjarjes në afërsi të viktimave.

Dy viktimat janë të moshës rreth 50-vjeç, ndërsa motivet që çuan deri te tragjedia mbeten akoma të paqarta.

Policia është deklaruar për rastin, në njoftimin e tyre thuhet se hetimet për zbardhjen e rastit kanë nisur.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se Policia është informuar për dy të pajetë rreth orës 09:00.

“Rreth orës 09:00 policia ka pranuar informatën për dy persona të pajetë në lagjen Emshir në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me prokurorin e shtetit dhe mjekët emergjent”, ka thënë Ahmeti.

Vdekja e tyre është konstatuar nga ekipi mjekësor.

“Në vendin e ngjarjes janë hasur dy trupa të pajetë, vdekja e të cilëve është konstatuar nga ana e ekipit mjekësor. Aktualisht policia ka nisur një hetim për rastin dhe rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Ahmeti. /Express/