Vuçiq: Marrëveshja në Bruksel sukses i madh për Serbin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka folur pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel lidhur me situatën e krijuar në pikëkalimet kufitare Kosovë-Serbi në Jarinjë dhe Bërnjak.

Vuçiq konfirmoi se pala serbe në Bruksel pranoi, siç njoftoi BE-ja, një propozim kompromisi për de-eskalimin e situatës në veri të Kosovës.

“Unë mendoj se kemi arritur një lloj zgjidhjeje kompromisi, me të cilën jam i kënaqur dhe mendoj se është e rëndësishme për palën tonë”, tha Vuçiq.

“Tërheqja e ROSU-së është parashikuar dhe është një tregues se në të ardhmen veprime të tilla të shqiptarëve do të hasin në rezistencë nga popullata serbe. Kthimi i KFOR-it në përputhje me Rezolutën 1244 është i rëndësishëm dhe tregon se është e mundur të sigurohen garanci sigurie për serbët”, u shpreh Vuçiq, në një konferencë shtypi në Nish.