Vuçiq për “non-paper”: Të gjithë e mohojnë, por ai dokument u përpilua nga një grua e zgjuar

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se “non-paper” lidhur me marrëveshjen që duhet të arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë botuar nga mediat në Prishtinë u ideua nga dikush shumë më i zgjuar dhe më dinak se ai, transmeton Gazeta Express.

Ai shtoi se ideuesi i këtij dokumenti është dikush që ka njohuri me marrëdhëniet në Ballkan dhe se “interesat e lidhur” si të Serbisë ashtu edhe të shqiptarëve përfshiheshin në letër.

“Unë e lexova atë në një e gjysmë të natës së kaluar kur u ktheva nga Brukseli. “Non-paper” u krijua nga dikush që është shumë më i zgjuar, shumë më i zgjuar se unë, shumë më dinak. Shoh që të gjithë e mohojnë, por kjo “non-paper” e fundit më dha më shumë shqetësime sesa e para”, tha Vuçiq.

Ai tha se njohja e Kosovës nga Serbia, e cila përmendej në këtë letër, është “e tmerrshme”.

“Një gjë kryesore është në atë letër – është njohja e një Kosove të pavarur, e cila është e tmerrshme. Këtu janë 90% të gjërave që janë më pak të rëndësishme për ju, por gjëja më e rëndësishme shkon te ne”, tha Vuçiq.

“Njohja e pavarësisë është e papranueshme”, theksoi Vuçiq.

Siç tha ai, rreth 50 njerëz në botë po merren me çështjen e Kosovës dhe dyshojnë në një person.

“Ajo është një grua fantastike e zgjuar, sepse mendoj se askush tjetër nuk mund ta përpilonte dhe ta bënte atë”, tha Vuçiq, duke shtuar se motivet politike ende nuk janë diskutuar.

Vuçiq tha se s’mund të ngutet që ta cilësojë si të papranueshëm gjithë materialin në atë dokument.

“Askush nuk na e ka treguar akoma, por ne do ta shohim. Unë nuk dua të paragjykoj. Unë nuk mund t’i duroj reagimet që pasojnë në pesë sekonda dhe të them menjëherë se e gjitha është e papranueshme”, theksoi Vuçiq, duke shtuar se gjithçka do të shikohet ngadalë dhe do të analizohet, ndërsa shtoi se do të shihet nëse dyshimet e tij për atë person janë të justifikuara.

Ai tha se ekspertë nga e gjithë bota “do të vraponin për të thënë “jo” dhe “po”.

Disa përkufizime për procesin që do të çonte në marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, janë përmbledhur në një “non-paper” që është publikuar dje. Letra thuhej se ishte nismë gjermano-franceze, gjë të cilën e mohoi ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

“E ashtuquajtura “non paper” francezo-gjermane e publikuar nga Koha Ditore është lajm i rremë. Mund të ketë dokument, por sigurisht që nuk është francezo-gjerman. Ne e përkrahim plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Miroslav Lajcak, sic e theksoi përsëri ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, shkroi Rohde në Twitter.

Kjo letër, që është dërguar në adresë të Gazetës Express, ndër tjerash përmend njohjen e Kosovës nga Serbia dhe se të dy shtetet duhet të pajtohen që të themelohet një “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, me kompetenca vetëqeverisëse.