Vuçiqi urdhëron ushtrinë serbe për gatishmëri luftarake

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, siç raporton Vecernje Novosti, ka urdhëruar vënien e të gjitha njësive të ushtrisë së Serbisë në gjendjen e gatishmërisë së plotë luftarake, pas operacionit të gjerë policor në veri të Kosovës të ndërmarrë sot në mëngjes nga autoritetet ligjzbatuese të Kosovës.

VN raporton se edhe Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka vënë në gjendje të gatishmërisë së plotë njësitë speciale të policisë.

Policia e Kosovës (PK), në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), si dhe nën asistimin e njësiteve tjera relevante në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore Prishtinë, po realizojnë një operacion të gjerë, i cili ka rezultuar me ndalimin e disa zyrtarëve policor dhe disa qytetarëve.

Këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disa mujor i IPK-së, PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtareve policor dhe të disa qytetarëve në; “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar” etj.