VV akuza ndaj PDK-së dhe AAK-së në Gjakovë

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Gjakovës ka reaguar pas publikimit të përgjimeve telefonike të cilat implikojnë vëllaun e deputetit të PDK-së Hajdar Beqa në fitimin e një tenderi në Komunën e Gjakovës.

Lexoni më poshtë reagimin e plotë

“Tash e sa muaj qytetarët e Gjakovës janë duke vuajtur nga ndotja e ambientit për shkak të djegjes së mbeturinave në Stacionin Transfer të mbeturinave. Disa herë kemi ngritur këtë çështje në Kuvendin e Komunës, madje kemi arritur të fusim si pikë të veqant diskutimi, por gjitha debatet kanë përfunduar duke hedhur përgjegjësinë herë tek njëri institucion dhe herë tek tjetri.

Për 18 mauj, pra që nga marrja e pushtetit nga kjo qeverisje komunale me në krye kryetarin Ardian Gjini, gjendja vazhdon të mbetet jashtë kontrrollit dhe problem ekologjik për qytetin e Gjakovës. Heshtja e qeverisjes komunale dhe mos ndërmarrja e veprimeve për përmirsim të situatës në stacionin transfer të mbeturinave jo vetëm që është politikë e gabuar, por mbartë në vete edhe elemente korruptive në dëm të popullatës.

PDK dhe AAK si bartëse të pushtetit lokal qysh gjatë fushatës zgjedhore kanë bërë pazare politike duke ndarë jashtëligjshëm udhëheqjen e ndërmarrjeve publike për të vendosur militant politikë në borde dhe udhëheqje të ndërmarrjeve publike. Pasojat e këqija janë të dukshme.

Përfshirja e kryetarit të PDK-së në Gjakovë, njëherit dhe deputetit të Parlamentit të Kosovës, Hajdar Beqa dhe siq shihet në pamjet e shfaqura mbrëmë ku vëllau i tij thotë: “i ka krejt gjykatësit e njohshëm…” (fjala për z. Beqa) ngjallë dyshime për procesin që ka filluar në prokurori dhe gjyqësi. Andaj, bëjmë thirrje organeve më të larta shtetërore që të jenë në krye të përgjegjësisë duke ndjekur me vëmendje dhe transparencë procesin në Prokurorinë dhe Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Pas pamjeve të shfaqura mbrëmë në emisionin “Drejtësia në Kosovë” në RTK, shihet qartë tendenca për korrupsion ku janë të ndërlidhur zyrtarë të lartë të komunës së Gjakovës. 
Grupet të caktuara të interesit të lidhura me pushtetin komunal tentojnë që për përfitime personale të gllabrojnë pronat komunale, ndër to edhe stacionin transfer të mbeturinave që është pronë e Kuvendit Komunal të Gjakovës. Kjo çështje kërkon veprim të menjëhershëm të organeve të drejtësisë dhe epilog të drejtë për këtë qështje.

Njëherit kërkojmë veprim të menjëhershëm të organeve komunale lidhur me pastrimin në stacionin transfer të mbeturinave dhe vendosjen e kontrrollit aty.” thuhet në komunikatën e Lëvizjes VETËVENDOSJE, Qendra në Gjakovë.