VV: Raporti i KE për Kosovën, korrupsion dhe keqqeverisje

Edhe Raporti për Kosovën po vlerëson dhe po vërteton se PANQeveria ka sjellë rritje të praktikave korruptive, dhe karakterizohet nga paaftësia e skajshme qeverisëse, gati në secilën fushë, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje pas publikimit të Raportit të Komisionit Europian për Kosovën.

Ky dokument i rëndësishëm, sipas VV-së, edhe sivjet e përsëriti atë që secili qytetar tashmë e pohon për institucionet e Kosovës, e veçanërisht për Qeverinë dhe sistemin gjyqësor e prokurorial.

“Shumë pak ose aspak përparim, vërejtje të shumta për mungesën e plotë të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, paaftësinë për të eleminuar punësimet abuzive, mungesën e rritjes së vendeve të punës si dhe aspak përparim në çështjet e zhvillimit ekonomik”.

Po ashtu, nuk është shënuar asnjë përparim në fushën e arsimit dhe të kulturës, e as në infrastrukturë e veçanërisht në atë energjetike, pohon VV-ja.

“Raporti thotë se Kosova ka shënuar shumë pak progres në implementimin e reformave evropiane, e për më keq, PANQeveria ka ndërmarrë veprime dhe masa të pamenduara dhe të paplanifikuara, në kundërshtim me linjën e reformave evropiane. Këtë vit Raporti shënon se në Kosovë ka patur edhe një rast të rëndë të shkeljes së të drejtave të njeriut, që është ai i deportimit të paligjshëm të 6 shtetasve turq.

Raporti i Komisionit Evropian adreson një nga problemet e mëdha të PANQeverisë duke theksuar se: “Madhësia e qeverisë, numri i madh i ministrave dhe zëvendësministrave ka ndikuar negativisht në kredibilitetin dhe efikasitetin e qeverisë. …Ndikimi politik në rekrutimin e pozitave të larta të shërbimit civil dhe rekrutimet jo të bazuara në merita mbeten çështje shqetësuese serioze. Politikat ad-hoc të ndërmarra nga Qeveria e në shumë raste të ndikuara nga interesa të veçanta janë një pengesë për politika gjithëpërfshirëse dhe të bazuara.”

Gjyqësori mbetet ende nën ndikimin e ndërhyrjeve politike dhe administrata e drejtësisë mbetet e ngadalshme dhe joefikase. Kosovës i mungon një strategji gjithëpërfshirëse për reformat e sektorit të drejtësisë dhe një mekanizëm i duhur për koordinimin ndërinstitucional. Nuk ka koordinim të mjaftueshëm të donatorëve nga autoritetet e Kosovës. Kjo çon në mungesë efikasiteti, në mosmarrëveshje dhe dublikim të përpjekjeve.

Sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar Komisioni Evropian ka vlerësuar se ka shumë pak progres në konfiskimin përfundimtar të pasurive dhe janë bërë shumë pak hetime financiare dhe dënime përfundimtare. Nga 51 raste të korrupsionit me profil të lartë vetëm 38 kanë aktakuzë e vetëm 9 raste kanë vendim përfundimtar, ku vetëm 5 raste janë finalizuar me vendim ku zyrtarët e përfshirë kanë rezultuar pjesërisht fajtor. Këto të dhëna afirmojnë shqetësimin e gjithmbarshëm se këto procese gjyqësore po përfundojnë duke i pastruar nga përgjegjësia zyrtarët e lartë të përfshirë në korrupsion. Kjo bëhet edhe më shqetësuese kur merret parasysh gjetja e raportit se konfiskimet e pasurisë së paligjshme përfundimtare kanë rënë ndjeshëm.

Nuk mund të presim edhe raportin e vitit 2020 të cilit ia dimë përmbajtjen paraprakisht falë vendimeve e veprimeve të PANQeverisë. Na duhet të ecim para me kordinimin në Kuvend e shoqëri për ta larguar koalicionin e PANHajnisë duke ia prerë degët që i ka shtrirë prej ndërmarrjeve publike e prokurorisë e deri tek shërbimin diplomatik e sistemi i drejtësisë”, thuhet në reagimin e VV-së.