Xhabir Hamiti reagon kundër vajtuesve shqiptarë për vdekjen e Morsit

Teologu i njohur dhe Doktori i Shkencave Islame pranë Universitetit të Prishtinës, Xhabir Hamiti, ka publikuar një reagim ndaj shqiptarëve që kanl thurrë elegji për vdekjen e ish presidentitn egjiptian Mohamed Morsi.

Hamiti ka shkruar se “Orientimi dhe organizimi ynë politik demokratik nuk ka asnjë lidhje me orientime dhe organizime politike të vendeve arabe dhe islame të sotme, e as me formën e përgjithshme të interpretimit të tyre fetar, i cili sot është katandisur si kurrë më keq.”

Ky është postimi i plotë i Xhabir Hamitit:

VDEKJA E MURSIUT DHE ELEGJITË E DISA SHQIPTARËVE TË THURURA PËR TË
Presidenti i parë i zgjedhur me votën e lirë nga populli i Egjiptit në vitin 2012, Dr.Muhamed Mursi, i cili në postin e tij nuk arriti të qëndroj më shumë se një vit, më 17 Qershor/2019 vdiq në gjykatën e Egjiptit, në rrethana ende jo mirë të sqaruara. Zakonisht, vdekja në duar të institucioneve shtetërore, qoftë edhe ajo natyrore, gjithmonë dhe kudo lë hapësirën e dyshimit dhe diskutimit. Udhëheqja e ish kreut të ushtrisë Abdul Fetah Sisit, kryetarit të sotëm të Egjiptit, viteve të fundit ka marr shumë vërejtje nga organizata të mëdha ndërkombëtare për shkeljen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve egjiptian, sidomos për burgosjen, shtypjen dhe ekzekutimin me vdekje të shumë aktivistëve politik.
Ndryshe, Egjipti për shumë arsye është njëri nga vendet më të rëndësishme arabe në politikbërjen e Lindjes së Mesme dhe të një pjese të vendeve afrikane, por edhe më gjerë.
Në themelimin e Egjiptit modern rolin kyç e kishte Muhamed Ali Pasha (1769-1849), i cili ishte me prejardhje shqiptare nga Kavala, dinastia e të cilit e kishte udhëhequr me Egjiptin dhe Sudanin deri në vitin 1952, kur përmes revolucionit popullor të prirë nga Muhamed Nexhibi dhe Xhemal Abdu Naseri ishte shuar monarkia e tij mbretërore, për t`u themeluar pas saj dhe për herë të parë Republika e Egjiptit, në krye me Muhamed Nexhibin.
Që nga ajo kohë dhe deri në vitin 2011, kur ish presidenti Husni Mubarak i cili mbante lidhje të veçanta me ish bllokun socialist, u rrëzua nga pushtetit i tij 30 vjeçar përmes demonstratave dhe presionit qytetar, Egjipti edhe pse qeverisej përmes një sistemi zgjedhor republikan, gjithmonë është udhëhequr nga sundimi një partiak në pushtet “ Partia Kombëtare Demokratike” .
Opozitë e përhershme dhe e fuqishme në Egjipt ishte “Vëllazëria Myslimane”, e themeluar në vitin 1928 nga Hasan el-Benna , por e cila deri në vitin 2011 kishte një kuotë ta caktuar dhe të kushtëzuar të vendeve në Parlament, të cilën nuk mund ta tejkalonte.
Dr. Muhamed Mursi, i cili në vitin 2012 u zgjodh president, erdhi nga radhët e kësaj lëvizje, e cila sloganin e saj më të shpeshtë e ka pasur dhe e ka “ Islami është zgjidhje”, pastaj “ Allahu është Zoti ynë, Kurani është kushtetuta e jonë, i dërguari (Muhamedi a.s) është udhëheqësi ynë dhe xhihadi është rruga e jonë”, ndërsa së fundi pas rrëzimit nga pushteti të Mursiut slogani i ri i ithtarëve të Vëllazërisë Myslimane është “ Vdekje ose fitore”!
“Vëllazëria Myslimane”, si një lëvizje politike dhe fetare, pas grushtetit ushtarak të udhëhequr nga Abdulfetah es-Sisi është shpallur si organizatë terroriste në Egjipt, Jordani, Emirat, Arabi Saudite, por edhe nga disa vende përtej tyre. Si një lëvizje fetare “vëllazëria myslimane” i ka shtrirë rrënjët edhe në mesin e shqiptarëve dhe myslimanëve të Ballkanit në përgjithësi, sidomos pas viteve të 90-ta, por edhe në shumë vende të kontinentit evropian dhe tej-atlantik.
Mediat e mëdha botërore kanë shkruar dhe po shkruajnë për vdekjen e Mursiut, për të cilin një pjesë e madhe e tyre po thonë, se me vdekjen e tij ka vdekur edhe demokracia dhe sistemi i lirë zgjedhor në Egjipt. Në anën tjetër, një pjesë e regjimeve të vendeve arabe dhe islame i janë gëzuar vdekjes së tij, kurse një pjesë tjetër po quajnë atë si vdekjen e dëshmorit të “Pranverës arabe “duke lexuar edhe Fatihan për shpirtin e tij, siç ndodhi nga një grup i parlamentarëve në Tunizi. Poashtu, në shumë vende të botës islame dhe jo islame grupet e vëllazërisë myslimane Mursiut ia kanë falur namazin e xhenazes në mungesë.
Mursiu, në rrafshin ndërkombëtar në vitin 2013 kishte arritur të marr vendim për njohjen e pavarësisë së vendit tonë, i cili në atë po kundërshtohej ashpër nga pjesa e sistemit të kaluar mubarekian, e cila më të ardhur në pushet e ka ngrirë bashkëpunimin e mëtutjeshëm bilateral mes dy vendeve.
Por neve ç`na lidh me Lëvizjen e Vëllazërisë Myslimane Politike, e cila më shumë se 90 vite është duke luftuar për marrjen e pushtetit në Egjipt dhe më gjerë në vendet arabe dhe islame?
Sigurisht se, Egjipti si dhe të gjitha vendet arabe dhe islame të cilat mbështesin pavarësinë dhe të ardhmen tonë evropiane, do të duhej trajtohen aleatë dhe mike të vendit tonë, duke zhvilluar e mbajtur kontakte politike dhe diplomatike me to, por në asnjë mënyrë dhe asnjë formë të lejojmë që organizimi i tyre politiko-fetar të konsiderohet model apo platformë edhe e organizimit tonë politik, shoqëror apo fetar.
Orientimi dhe organizimi ynë politik demokratik nuk ka asnjë lidhje me orientime dhe organizime politike të vendeve arabe dhe islame të sotme, e as me formën e përgjithshme të interpretimit të tyre fetar, i cili sot është katandisur si kurrë më keq.
Ideologët e “Vëllazërisë Myslimane”, ndoshta një ditë do të mund të jenë faktor mrekullibërës në avancimin dhe prosperitetin e shoqërive arabe dhe islame, por edhe atëherë roli i tyre për neve këtu ku ne jetojmë, në rrethanat tona gjeografike dhe gjeopolitike nuk mund të jetë i drejtpërdrejtë e as frytdhënës.
Neve na vjen keq për vdekjen çdo njeriut, e aq më shumë të një lideri partiak i cili ka gëzuar simpatinë e një pjese të madhe të populli të vet dhe jashtë tij, mirëpo përfaqësimi ideologjik partiak dhe fetar i Dr. Muhamed Mursiut , apo edhe të ndonjë ideologu dhe lideri tjetër nga ajo botë, ku instrumentalizimi i fesë atje shpeshherë merr konotacion dhe shpjegim specifik të karakterit dhe natyrës lokale apo rajonale, nuk mund të jetë i pranueshëm dhe i përshtatshëm për shoqërinë dhe orientimin tonë të sotëm demokratik, politik dhe euro-atlantik.
Ne, në vendin tonë si dhe kudo tjetër mund të jem besimtar të besimit Islam pa qenë pjesë fare e ndonjë lëvizje politiko-fetare. As njerëzit e drejtë dhe racional në këtë botë,por as Zoti në botën tjetër nuk do të na pyet se, pjesë e cilit fraksion fetar të botës islame ishim në jetën tonë, por sa ishim dhe sa do të jemi të edukuar mirë, të devotshëm, të drejtë, tw frytshëm pwr veten dhe tw tjerwt, të bashkuar në të mirën e përgjithshme, solidar dhe ndihmëtar të shoqërisë dhe vendit, si dhe luftues i të së keqes dhe të shëmtuarës.
Fundja, sipas mësimeve islame, të jesh besimtar i sinqertë dhe i devotshëm i Zotit nuk është kusht të lidhësh marrëveshje me asnjë faktor njeri, ose që patjetër të kesh apo zhvillosh simpati me ideolog dhe ideologji fetare politike të dikujt, kudo qoftë dhe kushdo qoftë ai ose ajo !!
Zoti i mëshiroftë të drejtit dhe të pafajshmit , i rrënoftë të padrejtit dhe mizorët !