Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka njoftuar në rrjetin social facebook se ka emëruar , Xhemile Thaçi- Vezgishin, drejtoreshë të re të Arsimit në këtë Komunë. “Xhemile Thaçi – Vezgishi është drejtoresha e re në Drejtorinë Komunale të Arsimit.Ajo është e diplomuar në gjuhë dhe letërsi angleze, ndërsa studimet master i ka përfunduar në trashëgimi kulturore dhe menaxhim të turizmit, si dhe është duke i vijuar ato edhe në letërsi angleze.
Ka punuar si profesoreshë e gjuhës angleze dhe është angazhuar në projekte të ndryshme në organizatat ndërkombëtare si UNOPS, OSCE, EUOEM dhe së fundi në Muzeun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nëpërmjet Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Me punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e saj, synojmë që të arrijmë suksese të mëdha në fushën e arsimit, në veçanti duke e rritur cilësinë dhe duke realizuar projekte të shumta e të rëndësishme.
Fakti se ajo është një figurë apartiake dhe emri saj nuk ndërlidhet me asnjë parti politike, jep një mesazh të qartë dhe tregon vendosmërinë tonë për depolitizimin e sistemit arsimor.
Na priftë e mbara!”, ka shkruar Haskuka.