Ylli i Kombëtares së Kosovës pranë kalimit në Galatasaray

Galatasaray është duke e vëzhguar mesfushorin e Kosovës, Idriz Vocën, dhe pritet t’i bëjë ofertë zyrtare Luzernit për transferimin e tij në këtë afat kalimtar të futbollistëve.

Voca mund t’i bashkohet shokut nga Kombëtarja e Kosovës, Vedat Muriqit – në Superligën e Turqisë – i cili luan për klubin rival të Galatasarayt, Fenerbahce.

Galatasaray, njëri prej klubeve më të vjetra dhe më të suksesshme turke, është duke punuar për ndryshime rrënjësore në skuadër dhe synimi i tij për ta arritur këtë është të sjellë lojtarë të rinj.

Mesfushori kosovar i Luzernit Voca – i cili është vetëm 22 vjeç – është synim parësor i klubit turk për t’i përmbushur qëllimet.

Voca ka kontratë me Luzernin deri në qershor të vitit 2021, prandaj klubi zviceran do të kërkojë të përfitojë nga shitja e tij këtë sezon, në mënyrë që të mos e humbasë kosovarin pa asnjë qindarkë verën e vitit të ardhshëm.

Mesfushori i lindur në Stans të Zvicrës i ka bërë 23 paraqitje në të gjitha garat për Luzernin këtë sezon, duke e realizuar një gol. /Gazeta Express/

Idriz Voca me Luzernin