Zarfet e ardhura nga Serbia procedohen për numërim

Zyrtaret e KQZ-së dje kanë bërë shqyrtimin dhe vlerësimin e zarfeve me fletëvotime, të cilat kanë ardhur në Kosovë nga shteti i Serbisë, shkruan gazeta “Zëri”.

Ky proces nga ana e kosovarëve u zhvillua me masa të detajuara mbrojtëse (me maskë, veshje të veçanta, dorëza e kapela) shkaku i alergjisë që u shfaq te disa zyrtarë kosovarë ditë më parë. Ndërkohë pas verifikimit “Zëri” mëson se rreth 3700 fletëvotime janë përcjellë në QNR për numërim. Ndërkaq zëdhënës të QNR-së i kanë thënë “Zërit” se deri në fund të kësaj jave pritet të përfundojë i gjithë procesi i numërimit.

KQZ-ja përmes një komunikate ka bërë të ditur se pas verifikimit dhe kontrolleve nga organet kompetente është konstatuar se nuk ekziston rreziku për procedimin e zarfeve të mbetura. Në këtë komunikatë thuhet se pavarësisht komplikimeve që janë shfaqur, ky institucion është i gatshëm ta ruajë integritetin e procesit zgjedhor. /Zëri/