Zbulohet mozaiku i Heroit Agim Ramadani

Në dy vjetorin e zyrtarizimit të mandatit ushtarak të FSK-së, sot në kazermën e FSK-së në Gjilan, u mbajt ceremonia e zbulimit të mozaikut me portretin e heroit kombëtar, Agim Ramadani. Në ceremoninë përkatëse, morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, familjarë të heroit Agim Ramadani, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, dhe ai i Obiliqit, Xhafer Gashi, komandanti i Komandës së Forcave Tokësore , gjeneral brigade Fadil Hadergjonaj, ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së, Ahmet Isufi, familjarë të heronjve dhe dëshmorëve të kombit, veteranë të luftës së Brigadës 138 “Agim Ramadani”, etj.

Me këtë rast, ministri Quni, në cilësi edhe të bashkëluftëtarit dhe mikut të ngushtë të heroit Agim Ramadani, theksoi se personaliteti madhështor i Agimit, mozaiku tashmë vepër e përmasave botërore dhe datës së sotme historike janë unike e që së bashku krijojnë ndërlidhjen e veçantë dhe me vlera të papërsëritshme. “ Urdhrin e Komandant Katanës se edhe vetëm një ushtar nëse mbetet ka për detyrë që të formoj njësitë luftarake dhe të vazhdoj luftën deri në fund për çlirimin e Kosovës”, me simbolikën e fuqishme, e kemi përmbushur edhe sot me rreshtimin e njësisë elite të FSK-së të komanduar dhe udhëhequr nga ish- luftëtari i njësisë së Agimit, nënkolonel Albert Kuqi dhe djali i heroit Shkëlzen Haradinaj, nëntoger Luan Haradinaj dhe shumë e shumë pasardhës të heronjëve e martirëve të lirisë” tha ndër të tjera ministri Quni.Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili vlerësoi lartë ideatorët dhe realizuesit e projektit duke theksuar se Agimi zbarkoi aty ku e ka vendin duke shërbyer gjithmonë si inspirues dhe motivues për ushtarët e rinj dhe shëmbëlltyrë e flijimit madhështor për liri.

Nga ana e tij, realizuesi i mozaikut , Besart Gashi shprehu me emocione nderin dhe respektin që ka për heroin Agim Ramadani dhe të gjithë të rënët për liri duke shprehur se ndjehet i privilegjuar që ka arritur të realizoj projektin e tij tashmë me përmasa ndërkombëtare të vendosur në vend dhe ngjarje të veçantë. Në emër të familjes së heroit, Agim Ramadani, të pranishmit i përshëndeti i vëllai i heroit, Bekim Ramadani, i cili shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për projektin dhe organizimin e shkëlqyeshëm. duke theksuar se idealet deri në flijim e Agimit dhe gjithë të rënëve për liri janë vlera më të shtrenjta që reflektojnë në të tashmen dhe të ardhmen tone.Në fund, zbulimi i mozaikut u bë nga ministri Quni, gjeneral Cikaqi, kryetarët Haziri dhe Gashi, familjarët e heroit Agim Ramadani, si dhe të pranishmit tjerë përfaqësues duke madhështuar ambientin e kazermës së FSK-së në Gjilan, respektivisht Regjimentit të Parë të Këmbësorisë së Forcave Tokësore të FSK-së.

Kjo vepër artistike punuar nga artisti Besart Gashi, me mbështetjen financiare të humanistit Muhamet Hajrullahut për shkak të përmasave dhe mënyrës krijuese unike, me kapëse teli, ka hyrë zyrtarisht në Librin e rekordeve “Guinness” më 22 Gusht 2020.