Zbulohet një burim i ri i naftës në Shqipëri

Në Shqipëri është zbuluar një burim i pasur nafte. Bëhet fjalë për pusin e Shpiragut që gjendet në pjesën perëndimore të qytetit të Beratit. Pas testimeve fillestare të kryera gjatë ditës së premte nga kompania ndërkombëtare Shell, ishte vërejtur “potenciali në rritje i disa mijëra fuçive të naftës në ditë” nga pusi i Shpiragut, ka raportuar Reuters.

“Jemi të kënaqur që testet fillestare kanë konfirmuar potencialin e këtij zbulimi dhe presim që biznesi ynë të rritet në Shqipëri”, ka deklaruar zv/presidenti ekzekutiv për eksplorime i kompanisë Shell, Marc Gerrits. Ndërkohë, nuk është bërë i ditur vëllimi komercial për shkak që pritet të bëhen vlerësime të mëtutjeshme për të përcaktuar atë. Sipas Reuters, kompania Shell pritet të zgjerojë testimet e saja me qëllim të vlerësimit të potencialeve të naftës që disponon ky vendbanim.