Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se masat ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës në menaxhimin e pandemisë Covid-19 kanë filluar të prodhojnë rezultate pozitive.

Zemaj thotë se “ky është rezultat i kujdesit që keni manifestuar ditëve të fundit duke bartuar maska mbrojtëse, ruajtur distancën fizike, mbajtur higjienën personale e kolektive dhe mbi të gjitha duke ngritur nivelin e përgjegjësisë dhe të sjelljes përballë një rreziku siç është Covid-19”.

“Ne presim që këto rezultate të përmirësohen edhe më tej, ndërsa, përgjegjësia na thërret që të vazhdojmë me disiplinë, kujdes, zbatim edhe më rigoroz të masave e rekomandimeve të profesionistëve me qëllim që puna e personelit shëndetësor dhe shërbimeve të tjera të lehtësohet dhe shëndeti i popullatës të ruhet”, ka thënë Zemaj në një postim në Facebook, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, dje të shtunën është raportuar se gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë gjashtë persona kanë vdekur nga koronavirusi dhe janë regjistruar 145 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton ky virus.

Këto shifra dalin nga testimi i 562 mostrave më 17 korrik – njëherësh numri më i madh i testimeve të kryera brenda një dite, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars.

Në një konferencë për media të mbajtur dje në qytetin e Vushtrrisë , drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, tha se situata epidemiologjike është duke u përmirësuar gradualisht.

“Situata epidemiologjike ditëve të fundit është në rënie e sipër në një rënie graduale, por të sigurt duke iu falënderuar masat të cilat janë marrë nga të gjitha institucionet shëndetësore duke filluar nga MSH, e deri tek organet ekzekutive në terren, inspektoratet e të gjitha drejtimeve dhe policisë”, tha Ramadani.

Sipas të dhënave të prezantuara, numri i përgjithshëm i të infektuarve me coronavirus ka arritur në 5.617. gjatë 24 orëve janë shëruar edhe 171 pacientë, duke çuar në 2.811 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.

Ndërkaq, raste aktive vazhdojnë të jenë 2,676 raste. Ndërsa, numri i të vdekurve ka arritur në 130. /Telegrafi/