Zemaj: Nuk do të marrim vaksina nga Serbia dhe Rusia

Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me COVID-19, është mbledhur sot për të diskutuar situatën epidemiologjike në vend.

Me këtë rast, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka folur edhe për vaksinën kundër COVID-19.

Zemaj ka thënë se përkundër presioneve, Kosova nuk do të pranojë vaksina nga Serbia dhe Rusia.

“Duhet të vazhdojmë me këtë disiplinë deri në pritjen e vaksinës e cila do të ndihmojë në eliminimin e pandemisë. Ne kemi bërë të qartë se nuk do të marrim vaksina nga shteti i Serbisë dhe as nga Rusia, pavarësisht presionit që bëhet”, ka thënë ai.

Zemaj ka thënë se një numër i konsiderueshëm i vaksinave është siguruar nga COVAX dhe se pret që furnizimi të bëhet këtë muaj.

Përndryshe, ai ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë masat aktuale, të respektojnë distancën e të vendosin maskën.

“Ne apelojmë te qytetarët e institucionet për respektim e masave të nevojshme për menaxhimin kontrollimin e infeksionit me COVID-19. Në situatën që ndodhemi është e domosdoshme që në mënyrë strikte të respektohen nga të gjithë, distanca, maskat, dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave”, ka shtuar ai.