Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se nga komunikimi që ka pasur me COVAX, janë konfirmuar edhe 100.620 vaksina Pfizer për qytetarët e Kosovës.

Zemaj thotë se këto vaksina do të vijnë në qershor, transmeton Telegrafi.

“Nga komunikimi i fundit që arriti sot nga COVAX, ( për sigurimin e radhës së vaksines Pfizer-BioNTech) komunikim të cilin ia përcolla Ministrit Vitia për ta vazhduar atë zyrtarisht, konfirmohen 100.620 vaksina anti Covid-19 në qershor, për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka falënderuar shtetet që kanë kontribuar në sigurimin e këtyre vaksinave.

“Shpreh edhe një herë falënderimin e thellë për shtetet mike, organizatat ndërkombëtare dhe vendore si dhe ekipin profesional të Republikës së Kosovës të cilët u angazhuan me muaj të tërë për sigurimin sa më të shpejtë të vaksinave”, ka pohuar Zemaj.

Ndryshe, Kosova më 29 mars ka filluar vaksinimin, ku fillimisht do të vaksinohen personeli shëndetësor, pastaj personat e moshuar mbi 80 vjeç.

Kosova, të dielën mbrëma, ka pranuar 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca.

Këto dërgesa, të parat për Kosovën, janë siguruar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon furnizimin me vaksina të vendeve në zhvillim.

Kosova ka regjistruar mbi 88,000 raste me koronavirus. Aktualisht, aktive janë mbi 13,000. /Telegrafi/