Zënka në komunikacion dyshohet se çoi në plagosjen në Tophane

Një person është plagosur si pasojë e përdorimit të armëve në mbrëmjen e së hënës në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në lagjen Tophane të Prishtinës.

Policia e Kosovës ka thënë për Koha.net se njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimi i rastit.

“Rreth orës 21:00 kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore të cilat kanë hasur një person të plagosur (në këmbë), i cili menjëherë është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ajo ka thënë se policia po punon në identifikimin e të dyshuarve dhe sqarimin e rrethanave që lidhen me ngjarjen.

Dyshohet se një zënkë në komunikacion kishte çuar në plagosjen që ndodhi në mbrëmje në Tophane, kanë thënë burime brenda Policisë për KTV-në.

KTV merr vesh se i plagosuri është K.L.. Ai është plagosur në këmbë. Policia ka identifikuar një të dyshuar për rastin, V.G., të cilit i është vënë në ndjekje.

Mësohet se të shtënat kishin ardhur nga një motoçikletë. / Koha.net

Të shtëna armësh në Tophane