Zgjedhjet në BE: betejë mes popullistëve dhe centralistëve

Në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, që janë duke u mbajtur këtë javë në 28 shtetet e Bashkimit Evropian, të drejtë vote kanë rreth 400 milionë qytetarë të shteteve anëtare të BE-së.

Pavarësisht se dalja në këto zgjedhje mund të jetë e ulët, megjithatë ato do të kenë një rëndësi të jashtëzakonshme për rezultatin e tyre, raporton National Public Radio në një artikull të gjatë për këtë çështje. Sipas kësaj medie amerikane, këto zgjedhje do të jenë test i rëndësishëm për partitë me prirje ekstreme nacionaliste e populliste në njërën anë dhe kundërshtarëve të tyre në anën tjetër.

Qendra e djathtë dhe qendra e majtë

“Nëse këtë herë nuk ia dalim, asnjëri prej nesh nuk mund t’i shikojë në dhomë më fëmijët në sy. Nëse këtë herë nuk ia dalim, atëherë e kemi çuar punën tonë kot ndër breza”, ka deklaruar politikani holandez i qendrës së majtë, Frans Timmermans, i cili mbështet politikat pro-evropiane.

Si një socialist me bindje, Timmermans shpreson që zgjedhjet e Parlamentit Evropian do ta bëjnë atë president të Komisionit Evropian. Aktualisht, ai është zv/president i këtij institucioni, gjë që nënkupton se ai është pjesë e strukturave politike të BE-së, në Bruksel.

Sidoqoftë, rivali i tij, Manfred Weber, i cili është nga Gjermania dhe përfaqëson qendrën e djathtë, është më optimist se Timmermans. “Thelbi i Evropës është kompromisi. Pra, gatishmëria për t’u ulur së bashku për gjetjen e mirëkuptimit të përbashkët për të ardhmen. Për të arritur këtë, mendoj se na duhet optimizëm. Ne mund të jemi krenare me atë që e kemi arritur dhe mund të vazhdojmë tutje”, ka thënë Weber.

Ndërsa, politikani tjetër, Guy Verhofstadt i cili është nga Belgjika që përfaqëson Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës kërkon të shkojë më tutje për drejt forcimit të politikave fiskale dhe politikës së jashtme me qëllimi të federalizmit të Evropës. “Bashkimi Evropian sot nuk ekziston në të vërtetë. Ajo është ende konfederatë e komb-shteteve dhe gjithnjë reagon shumë vonë kur diçka ndodh”, ka deklaruar ai.

Edhe pse mund të dallojnë në qasjen e tyre për politika të caktuara, të tre këta kandidatë i përkasin kampit pro-BE. Sidoqoftë ata shprehen të pakënaqur me mungesën e gatishmërisë të shteteve anëtare të BE-së për krijimin e politikave të përbashkët në çështjet e migrimit, sigurisë dhe shpërndarjes së të dhënave.

Këto zgjedhjet të Parlamentit Evropian, sipas Timmermans, mund të jenë më të rëndësishmet ndër dekada.

“Besojë se kjo është hera e parë që prej gjenezës së integrimeve evropiane se vet Bashkimi Evropian vërtet mund të shkatërrohet. Kjo nuk është më një ankth apo ëndërr e keqe, por një realitet që mund të ndodhë”, ka deklaruar ai.

Skenari i ankthit të Timmermans nuk nënkupton që shtetet tjera anëtare të BE-së do të ndjekin Britaninë e Madhe për të votuar për largim nga BE-ja. Marrë parasysh që negociatat në lidhje me Brexit kanë qenë shumë kaotike, rrjedhimisht largimi nga BE-ja nuk duket më se është ide e mirë.

Partitë ekstreme

Përkundrazi, partitë nacionaliste në Evropë kundër migrimit që kanë bindjen se Brukseli ka shumë pushtet janë duke bërë fushatë të egër për të fituar ulëse në Parlamentin Evropian. Ato do të bëjnë përpjekje për të dobësuar pushtetin federal të BE-së në raport me secilin komb-shtet individualisht. Për më tepër, ato do të përpiqen të rivendosin sovranitetin tek popujt e tyre.

“Nëse këto lëvizje populliste janë në rritje, kjo nënkupton që diçka nuk po shkon siç duhet në Evropë dhe ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirën që mundemi për të ndryshuar Bashkimin Evropian nga brenda”, ka theksuar për mediat e huaja në Romë përfaqësuesi i një partie nacionaliste italiane.

Ai është Caio Giulio Cesare Mussolini dhe stërgjysh i tij ishte diktatori Benito Mussolini. Për më tepër, ai nuk ndjen përgjegjësi për trashëgiminë e fashizmit dhe po kandidon për ulëse në Parlamentin Evropian me partinë Vëllezërit e Italisë që i përket ekstremit të djathtë.

Fushata për të ndrequr BE-në nga brenda ka gjetur një përkrahës të madh përtej Atlantikut, gjegjësisht Steve Bannon që ka bashkëpunuar më herët me Donald Trump. Gjatë këtij viti, ai ka qenë Evropë duke e përcjellë për së afërmi fushatën e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

Ai është duke e këshilluar në Itali zv/kryeministrin popullist të këtij vendi, Matteo Salvini i cili është edhe ministri i Brendshëm. Po ashtu, Bannon e këshillon edhe udhëheqësen populliste të Frontit Kombëtar francez, Marine Le Pen si dhe kryeministrit autokrat të Hungarisë, Viktor Orban.

Duke u rreshtuar përkrah popullistëve dhe madje duke i promovuar ato, Bannon është duke ngritur “akademinë për vlerat judaike-krishtere” në një manastir të vjetër jashtë Romës. “Momentumi është në anën e lëvizje për sovranitet, momentumi është në anën e lëvizjeve nacionaliste, momentumi është në anën e lëvizjeve populliste”, u ka thënë ai gazetarëve gjatë vizitës së tij në Romë, në muajin mars.

Tashmë brenda BE-së është një ngatërrestar, përkatësisht kryeministri hungarez që vendin e tij e quan “shtet jo-liberal”, ndërsa kritikët e tij u quajnë shtet gjysmë-autoritar.

Në muajin mars, Partia Popullore Evropian si grupi i qendrës së djathtë në Parlamentin Evropian, ka përjashtuar prej radhëve të saj partinë hungareze Fidesz të Orbanit. Kjo ka ndodhur për shkak të politikave të kësaj të fundit kundër emigrantëve dhe kufizimeve për lirinë fjalë dhe atë akademike. Megjithatë, sipas analistëve, kjo nuk do të ketë ndonjë ndikim pas zhvillimit të zgjedhjeve këtë javë meqë Orban mund të vendos t’i bashkohet ndonjë grupi të ri popullist në Parlamentin Evropian.  

Sipas anketave të kryera për zgjedhjet në Parlamentin Evropian, popullistët do të fuqizohen në këto zgjedhje. Edhe pse kjo nuk do të jetë mjaftueshme që ata të kontrollojnë këtë institucion, megjithatë do të mjaftojë që të dobësojnë ndikimin e partive të qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë që janë në favor të politikave të BE-së.