Zgjedhjet në BE: Rezultate të dobëta të koalicionit Merkel në Gjermani, shënojnë rritje të Gjelbrit

Kanë dal edhe rezultatet e parë të votimeve në Gjermani për Parlamentin Evropian. Sipas sondazheve të publikuara, subjektet politike që përbëjnë koalicionin e Qeverisë gjermane nuk kanë arritur të marrin shumë vota në këto zgjedhje. Përkundrazi, ato kanë pësuar rënie të dukshme.

Kristian-demokratët që përbëhet prej CDU/CSU dhe që dominon skenën politike gjermane tash e disa vite në krye me kancelaren Angela Merkel kanë arritur të marrin 28 përqind të votave. Edhe pse të renditur në vendin e parë, megjithatë ky nuk duket të jetë rezultat i kënaqshëm meqë ka rënie prej 7 përqind sipas mediave gjermane.

Në vendin e dytë më të votuarit janë Partia e të Gjelbërve në Gjermani që mbase është fituesja më e madhe e këtyre zgjedhjeve në Gjermani. Të gjelbërit kanë arritur të marrin 22 përqind të votave në Gjermani, gjegjësisht ka rritje prej 10 përqind në raport me zgjedhjet paraprake.

Këta të fundit kanë lënë mbrapa socialdemokratët të renditur në vendin e tretë me 15.5 përqind të votave apo 10 përqind më pak se në zgjedhjet e kaluara. Mbetet të shihet nëse ky rezultat i SPD do të ndikojë edhe në marrëdhëniet ndërmjet partnerëve të koalicionit marrë parasysh që janë pjesë e Qeverisë së udhëhequr nga kancelarja Merkel.

Ndërkaq, Alternativa për Gjermaninë (AfD), si parti e ekstremit të djathtë, sipas rezultateve të publikuara, ka arritur të marrë 10.5 përqind të votave. AfD ka një rritje të lehtë prej 3.5 përqind në këto zgjedhje.