Zgjedhjet në RMV, Zaev shpall fitoren, partitë shqiptare marrin 28 deputetë

Mbrëmjen e djeshme u mbyll procesi i votimit në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë së Veriut. Partia maqedonase Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe ajo shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) janë në epërsi nga votimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbajtura të mërkurën në kushte pandemie.

Nga numërimi i 93.96 për qind të votave, LSDM-ja e udhëhequr nga Zoran Zaev ka fituar 36.13% e pasuar nga VMRO DPMNE e Hristijan Mickovskit me 34.65%.

Koalicioni “Mundemi” i partisë së Zoran Zaevit dhe Bilall Kasamit nga ajo që ka numëruar deri tani komisioni shtetëror i zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, ka fituar 36% të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. VMRO-DPMNE ka fituar 34.71%, BDI, 11.48%, Aleanca për Shqiptarët me Alternativën 8.65%, E majta ka fituar 4.13%, PDSH  vetëm 1.53% duke i siguruar vetëm liderit Menduh Thaçi ulëse në Parlament.

KSHZ ka llogaritur që Koalicioni “Mundemi” do të marrë 46 deputet, VMRO-DPMNE do të marrë 44 deputet, BDI 15 deputet, ASH dhe AA 12 deputet, E majta 2 deputet dhe PDSH 1 deputet.Në bazë të këtyre rezultateve Zoran Zaev (LSDM) do të fitojë mandatin për të formuar një qeveri të re.

Në këto zgjedhje për herë të parë që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991, u krijua një koalicion parazgjedhor midis një partie maqedonase dhe një partie nga blloku shqiptar. LSDM dhe Lëvizja Besa garojnë së bashku në këto zgjedhje.

Kështu nga numërimi i deritanishëm partitë shqiptare kanë mundur të marrin 28 mandate, përveç atyre të siguruara nga koalicioni mes LSDM dhe Besa.

“Vullneti i njerëzve u konfirmua, kemi arritur të fitojmë. Qytetarët kanë votuar për unitet dhe solidaritet, për patriotizëm ekonomik, për ligj dhe rend”, u shpreh Zaev.

Me diferencë të ulët të votave, nacionalisti Hristian Mickoski i VMRO-DPMNE, mundet ende të vijë në pushtet me mbështetjen e partive më të vogla, të cilat përfaqësojnë minoritetin e Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Në 6 muajt e fundit Maqedonia e Veriut është drejtuar nga një qeveri teknike pas dorëheqjes së Zoran Zaev, i cili shpalli zgjedhjet e parakohshme pasi Bashkimi Europian nuk hapi negociatat për vendin fqinj.

Edhe pse të dy partitë kryesore në vend mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Europian, Mickoski gjatë fushatës elektorale ka kritikuar ndryshimin e emrit të vendit, si kusht i vendosur nga Greqia për hapjen ne negociatave.