Zjarr i madh në rafinerinë e naftës në Teheran

Një zjarr masiv ka shpërthyer në rafinerinë shtetërore të naftës në jug të Teheranit, duke shkaktuar tym të madh mbi qytet, raportuan mediet shtetërore iraniane. Nuk ka raportime për viktima.

Zjarri në rafinerinë Tondguyan filloi rreth orës 7 e 30 minuta sipas kohës lokale dhe u shkaktua nga rrjedhja e gazit të lëngshëm në një gyp, tha shefi i menaxhmentit, Mansour Darajati. Ai tha se për këtë rast do të ketë hetime.

Rafineria e përfshirë nga zjarri ka kapacitet të prodhimit prej 250.000 fuçive naftë në ditë dhe është në pronësi të Kompanisë Rafineruese të Naftës së Teheranit, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Një zëdhënës i kompanisë i mohoi të gjitha spekulimet rreth sabotazhit. “Aksidenti është shkaktuar nga një problem teknik dhe jemi në procesin e kontrollimit të zjarrit”, tha ai.

Një agjenci lokale e lajmeve tha se të gjitha operacionet në rafineri janë pezulluar, ndërsa zyrtarët dhe zjarrfikësit ndodhen në vendin e ngjarjes.

Zjarri në rafineri shpërtheu vetëm disa orë pasi anija më e madhe e forcave iraniane u kaplua nga flakët në rrethana të panjohura dhe më pas u fundos në Gjirin e Omanit.