Zjarret në Kaliforni shkaktojnë evakuimin e 90 mijë banorëve

Zjarret në pjesën veriore të Kalifornisë kanë shkaktuar evakuimin e 90 mijë banorëve. Në orët e para të mëngjesit të së dielës Departamenti i Zjarrfikësve në Sonoma dërgoi një paralajmërim për shtimin e aktivitetit të zjarreve, duke kërkuar evakuimin e menjëhershëm të banorëve nga zonat e rrezikuara. Urdhëri për evakuim theksonte rrezikun e pashmangshëm për jetët e njerëzve ndaj kërkohej largimi i tyre sa më parë.

Ndërkohë, miliona banorë të Kalifornisë po përballen me ndërpreje të energjisë elektrike ndërsa kompania shpërndarëse “Pacific Gas & Electric” vendosi të shtunën që të fillojë ndërprerjen e energjisë në një shkallë të gjerë. Ndërprerja e energjisë do të ndikojë afro 1 milion klientë ose 3 milion banorë , përfshi këtu qytetin San Françisko dhe rrafshnaltën Sierra.

Gjatë muajit të kaluar kompania “Pacific Gas & Electric” ka ndërprerë energjinë elektrike për mijëra klientë në përpjekje për të ndaluar përhapjen e zjarreve. Kompania ndodhet drejt falimentimit për shkak të përgjegjësive lidhur me zjarret e mëdha të kohëve të fundit, përfshi atë të vitit të kaluar që shkaktoi 85 viktima në qytetin Paradise në pjesën veriore të Kalifornisë.

Parashikimet e motit flasin për erëra të ngrohta të thata që në disa raste arrijnë deri në 112 kilometra në orë. Thuhet se erërat do të vazhdojnë deri të hënë në zonën e Gjirit të San Franëiskos. Sherbimi Kombëtar i Motit ka paralajmëruar se erërat, që shpesh quhen Santa Ana ose Diablo, mund të arrijnë shpejtësi të mëdha.

“Situata e motit mund të jetë më e fuqishmja prej disa dekadash në Kaliforni. ‘Pacific Gas & Electric’ duhet të ndërpresë rrymën elektrike për shkaqe sigurie për disa orë para mbërritjes së erërave të rrëzikshme.”

Kompania shpërndarëse e energjisë tha se erërat e forta përbëjnë rrezik duke shkaktuar shkëndija tek linajt elektrike dhe përhapjen e shpejtë të zjarreve. / VOA