Zvarritet procesi i rekrutimit të 30 zjarrëfikësve të rinj në Prizren

Komuna e Prizrenit përmes drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri, po synon që t’i funksionalizojë së paku tri nënstacione të reja të zjarrëfikësve, në Zhur, Gjonaj e Reçan. Por, për realizimin e këtij objektivi së pari duhet të rekrutohen zjarrëfikësit e rinj. Për këtë çështje ishte planifikuar rekrutimi i 30 zjarrëfikësve të rregullt, në saje të të cilëve pritet që të zbutet problemi i numrit të mangët të zjarrëfikësve në këtë komunë. 

Drejtori i drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri, Faruk Dakaj, bën të ditur se ky proces është bllokuar, pasi sipas tij, pas shpalljes së konkursit për rekrutim nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave me datën 2 Maj të këtij viti, pas disa ditësh ky konkurs është anuluar, ka njoftuar ai. Sipas drejtorit, Dakaj, anulimi i këtij konkursi nga Agjencia është bërë sipas një arsyetimi banal, ndërsa ne si komunë, jemi duke i shikuar mundësitë ligjore që një konkurs të tillë të mbajmë ne, pasi që sipas tij, Agjencia më nuk ka asnjë të drejtë ligjore për organizimin e një konkursi të ri, theksoi ai.

Drejtori Dakaj, tha më tej se, aktualisht në Prizren janë të angazhuar 24 zjarrëfikës, të cilëve do të iu shtohen gjatë verës edhe 20 ndihmës sezonal, ndërsa 30 të tjerët do t’ i bashkohen Brigadës së Zjarrëfikësve pas përmbylljes së  procesit të rekrutimit të tyre. Në fund, drejtori Dakaj tha se, zjarrëfikësit e rekrutuar parashihet që të angazhohen në nënstacionet e reja të zjarrëfikësve, në Zhur,Gjonaj e Reçan, ndërsa do të intervenohet edhe në riparimin e objekteve të këtyre nënstacioneve, të cilat janë ndërtuar para disa vitesh, ndërsa përveç se janë jofunksionale, ato kanë pësuar dhe dëmtime, njoftoi ai.