Zyrtare: Arben Vitia është menaxher i “Olive”, ka nisur punën në laboratorin që ishte licensuar nga MSH-ja

Nuk e ka bërë ende publike, por ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tashmë e ka nisur punën në laboratorin privat “Olive”. Ai është emëruar menaxher i këtij laboratori. Punësimi i tij u bë temë diskutimi edhe në seancën e sotme të Kuvendit.

Pas humbjes së garës për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, u zhduk pak, për t’u rishfaqur në një detyre të re. Ish-ministri i Shëndetësisë ka lidhur kontratë pune me laboratorin “Olive”, ku do ta ushtrojë pozitën e menaxherit, shkruan Express.

Punësimi i tij është konfirmuar nga vetë laboratori, përmes një video të publikuar në faqen zyrtare në Facebook, ku ish-ministri prezantohet si menaxher.

Në punën e re, Vitia ka nisur aktivitetet e para. Gjatë hapjes së një dege të këtij laboratori në Mitrovicë, ai e ka prerë shiritin e hapjes dhe ka mbajtur fjalim.

“Olive”, është prej laboratorëve që është zhvilluar hovshëm gjatë periudhës së pandemisë. Ky laborator është prej të akredituarve nga Ministria e Shëndetësisë për kryerjen e testeve PCR. Gjatë pandemisë, me MSh’në kanë udhëhequr Arben Vitia dhe Armend Zemaj.

Vitia duke prerë shiritin e laboratorit “Olive” në Mitrovicë

Për punësimin e ish-ministrit të Shëndetësisë në laborator privat, u diskutua edhe gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia e ka shkelur ligjin duke u punësuar në një spital privat.

Ai e pyeti ministrin aktual të Shëndetësisë, Rifat Latifin, nëse ka informacione për punësimin e Vitisë.

“A jeni në dijeni se ky veprim i Arben Vitisë si ish-ministër i Shëndetësisë është konflikt i interesit, pasi që “Olive” është licencuar nga MSH për testet PCR?”, ka pyetur deputeti.

Haxhiu e citoi ligjin për parandalimin e konflitit të interesit, i cili sipas tij është shkelur në këtë rast.

Vitia gjatë ceremonisë së hapjes së laboratorit “Olive” në Mitrovicë

Në përgjigje, ministri tha se çdokush “ka të drejtë të punojë aty ku ka dëshirë”.

“Është fare e qartë se kjo pyetje është jashtë komforitetit tim me u përgjigj, por nëse është shkelë ligji, atëherë sigurisht organet përkatëse do të merren me to. Ndërsa unë mendoj se çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtë të punojë aty ku ka dëshirë, qoftë në sektorin privat apo në sektorin shtetëror. Por nëse ka pasë shkelje të ligjit, atëherë sigurisht organet përkatëse do të merren me të”, tha Latifi.

Haxhiu foli edhe për pagën që mund ta ketë Vitia në punën e re.

“Sipas raportimeve, paga e ish-ministrit pritet të jetë e majme, mbi 5 mijë euro”, tha Haxhiu.

Vitia me stafin e Olive

Ndryshe, në media është raportuar tash e dy muaj për punësimin e Vitisë në këtë institucion privat shëndetësor.

Por, një gjë e tillë ishte mohuar nga Drejtori i “Olive”, Fatmir Sejdiu.

“Sa i përket ministrit unë nuk kam informatë për këtë punë…Kurrfarë kontrate të nënshkruar me mua nuk ka, nuk ka kurrgjë. Unë jam drejtor, mirëpo nuk ka kurrgjë zyrtare me të, kam muhabet me të si me çdo doktor tjetër”, kishte thënë Sejdiu.

Sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, aksionarë të “Olive” janë Fatmir Sejdiu dhe Blerim Bajçinca.

Sejdiu ka 80 përqind të aksioneve, derisa Bajçinca ka 20 përqind.

Kapitali i kompanisë është 45 mijë euro dhe ka pesë njësi. /Gazeta Express