Zyrtarët e Agjencisë së Pyjeve po sulmohen vazhdimisht, madje edhe në prani të Policisë – thotë Kryeinspektori i APK-së

Pronari i një traktori e përmbysi atë qëllimisht në një përrua, për t’i shpëtuar konfiskimit të drunjve, që sipas inspektorëve të agjencisë së pyjeve po i bartte ilegalisht.

Për ngjarjen që ndodhi në Novobërdë, policia, në raportin e saj 24 orësh, thotë se i dyshuari është arrestuar pasi i rrezikoi zyrtarët e APK-së, raporton KTV.

“Fsh. Zebincë, Novobërdë 26.09.2019-20:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, i cili qëllimisht kishte devijuar traktorin e tij e më pas e ka përmbysur atë në një përrua,duke i kishte rrezikuar kështu zyrtarët e APK-së. I dyshuari atë veprim e kishte bërë pasi zyrtarët e Agjensionit të Pyjeve të Kosovës kishin vendosur t’ia konfiskonin një sasi të drurëve të ngarkuar në rimorkion e traktorit, të cilat kishte qenë duke i transportuar në mënyrë ilegale. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, u tha në raportin e Policisë së Kosovës.

Por, kryeinspektori i kësaj agjencie, Besim Zogu, thotë se në fshatin Zebnice pati edhe të shtëna me armë ndaj inspektorëve.

Zogu thotë se ky nuk sulmi i vetëm për zyrtarët e APK-së. Sulmet e tilla thotë se janë shtuar muajt e fundit, kur ka nisur prerja ilegale e drunjve.

Ai ka akuzuar edhe policinë, e cila në një rast në Vushtrri nuk kishte arritur t’i mbrojë zyrtarët e këtij agjencioni.

Përveç Novobërdës e Vushtrrisë, inspektorët thonë se u sulmuan edhe në fshatin Keqekollë. Ata thonë se do të vazhdojnë me aksione kundër prerjes ilegale të drunjve, edhe në javët në vazhdim. / Koha.net