Zyrtari amerikan: Dorëhiqet i dërguari posaçëm i SHBA në Ukrainë

Kurt Volker, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO dha dorëheqjen të premten nga posti i tij si i dërguar i posaçëm për Ukrainën, njoftoi një zyrtar amerikan.

Zyrtari tha se zoti Volker e kishte njoftuar sekretarin e Shtetit Mike Pompeo të premten për vendimin e tij për t’u larguar, pas publikimit të lajmeve se ai kishte lidhur avokatin personal të zotit Trump, Rudy Giuliani me zyrtarët ukrainas për të hetuar ish-nënpresidentin Joe Biden dhe djalin e tij për afera të dyshuara korruptive.

Zoti Giuliani ka thënë se ai ishte në kontakt të shpeshtë me zotin Volker në lidhje me përpjekjet e tij.

Departamenti i Shtetit nuk ka bërë asnjë koment deri tani mbi dorëheqjen e tij por ka thënë se zoti Volker e ka vënë zotin Giuliani në kontakt me një ndihmës të Presidentit të Ukrainës.

Të enjten zoti Pompeo tha se për sa ishte në dijeni, të gjithë punonjësit e Departamentit të Shtetit kishin vepruar në mënyrën e duhur në marrëdhëniet me Ukrainën.

Zoti Volker u bë pjesë e administratës Trump i propozuar nga ish-sekretari i Shtetit Rex Tillerson për të shërbyer si i dërguar për Ukrainën. Ai punoi në një kapacitetin e vullnetarit ndërsa mbante detyrën si drejtues i Institutit John McCain për Udhëheqje Ndërkombëtare në Universitetin Shtetëror të Arizonës.

Gazeta studentore e shtetit të Arizona ishte e para që raportoi dorëheqjen e tij.